Ballina Aktuale Me një sërë problemesh po zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Me një sërë problemesh po zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Një incident është verifikuar mes vëzhguesve në Vlorë, në qendrën e votimit në fshatin Ahmetaq. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, por në zonë kanë mbërritur forca të shumta policore. Sherri ka ndodhur jashtë ambienteve të qendrës së votimit, në një shkollë 9-vjeçare.

Një komisioner i Partisë Socialiste në një qendër votimi në Elbasan është dhunuar nga disa persona. Ngjarja ka ndodhur në qendrën e votimit numër 2.345, pasi komisioneri është përpjekur të parandalojë votimin familjar. Agresorët nuk janë identifikuar ende, por për fat të mirë procesi i votimit nuk është ndërprerë dhe komisioneri është zëvendësuar.

Ndërkohë, po në Elbasan, në qendrën e votimit numër 2.590, në fshatin Shalës të Cërrikut, një person ka ofenduar nënkryetaren e KZAZ-së numër 46.

Një situatë e tensionuar është shënuar në Shëngjin ku një person dyshohet se ka mbetur i plagosur. LSI që ka bërë të ditur se Florian Dushku është goditur nga tre persona të armatosur. LSI thotë se Dushku është qëlluar me qytën e pistoletës. Ndërkohë drejt Lezhës është nisur dhe kryetari i zgjedhur, Ilir Meta.

“Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë. Tek spitali nuk ka mbërritur asnjë person për ndihmë mjekësore. Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka qenë i çastit midis shtetasit F.D. 27 vjeç, dhe personave të tjerë për të cilët po punohet për identifikimin e tyre. Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë , vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të ngjarjes. Procesi i votimit vijon normalisht”, bën të ditur policia e Lezhës./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu