Një shqiptar duhet të punojë 40.2 vite për të fituar atë që Elon Musk fiton në një minutë

Elon Musk është njeriu më i pasur i globit sot, i cili shpeshherë edhe e “lëshon” vendin e parë, në favor të rivalit të tij, Jeff Bezos. Të dy janë ndër njerëzit më të suksesshëm të globit sot, por pa diskutim që për Elon Musk mund të shkruhen manuale të tëra se si të jesh i suksesshëm.

Në një vit, përgjatë 2020-ës, për më tepër viti i pandemisë, Elon Musk rriti me 128.9 miliardë dollarë pasurinë e tij, çka përkthehet në 353 milionë dollarë në ditë, ose 245 mijë dollarë në minutë, edhe në gjumë. Në punë efektike, sipas “modelit” Musk, fitimet e tij në minutë llogariten në 344 mijë dollarë. A e dini sa kohë ju duhen juve për të fituar aq sa Musk fiton në një minutë? Plot 40 vite!

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar të dhënat e fitimit të Elon Musk përgjatë vitit të kaluar, duke i kryqëzuar ato me pagën mesatare të një shqiptari, bruto, si dhe me ato të të gjitha shteteve të tjera europiane. Një shqiptar mesatar fiton rreth 511 dollarë në muaj, sipas të dhënave zyrtare të pagës mesatare bruto në vend për vitin 2020. Kjo përkthehet në 0.0116 dollarë në minutë, jo në orë pune, por të shtrira në çdo sekondë të jetës tuaj. Sipas “modelit” Musk, një shqiptar mesatar fiton rreth 0.0164 dollarë në minutë. Më poshtë do të shpjegojmë edhe çfarë është modeli Musk.

Por ndërkohë që një shqiptari mesatar i duhen plot 40 vite për të fituar atë që Musk arrin të fitojë në një minutë, sa i duhet europianëve të tjerë? “Scan Intelligence Unit” ka përpiluar një listë me renditjen e vendeve të ndryshme të kontinentit të vjetër. Në rajon, shqiptarët janë të parët, për numrin e viteve që duhet të punojnë për të arritur standardin Musk të një minuti. Në Europë ndërkohë, më pak vite i duhen një zviceriani mesatar, “vetëm” 2.8 vite. Një serbi mesatar i duhen 24 vite, një italiani, 6.9 vite, dhe një gjermani, 4.2 vite punë.

Pra, 40 vite punë, për të fituar atë që Musk e fiton në një minutë, në rast se nuk keni një model suksesi. Por, Musk e ka, dhe duket se nuk është aspak e “thjeshtë” të arrish nivelin e tij. Sipas vetë Elon Musk, njeriut më të pasur të botës, çelësi i suksesit të tij, por edhe i çdokujt duhet të jetë ai i punës 120 orë në javë. Por çfarë do të thotë të punosh 120 orë në javë? Të bësh vetëm një ditë pushim në javë, ndoshta të dielën, të punosh 20 orë në ditë, dhe të flesh vetëm 4 orë. “Vetëm aq gjumë më duhet”, thotë Musk. Në rast se do të punonit kaq shumë, një minutë e Elon Musk do të vlente sa 34 vite punë e juaja. Të paktën në letra! Në rast se suksesi i Musk me 120 orarëshin në javë do të reflektohej edhe te ju, atëherë këto vite mund të ishin edhe më pak.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu