Nuk kanë të ndalur sulmet e Izraelit ndaj Gazës

Ushtria e Izraelit njoftoi se janë duke vazhduar sulmet në Gaza me avionë luftarakë, gjuajtje artilerike dhe tanke, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për gazetarin e AA-së një zyrtar i ushtrisë së Izraelit pretendon se është gjuajtur me armë zjarri ndaj ushtarëve të Izraelit në kufirin e Gazës dhe se si kundërpërgjigje ndaj kësaj është nisur sulmi ndaj Gazës.

Zyrtari i ushtrisë tha se avionët luftarakë të Izraelit po vazhdojë fluturimet mbi Gaza dhe se ende nuk ka ndonjë informatë se kur do të përfundojë operacioni.

Ndërkohë në një deklaratë me shkrim nga ushtria thuhet se është nisur një sulm i gjerë me avionë dhe tanke ndaj pikave ushtarake të cilat pretendohet se i përkasin Hamasit.

Duke vënë në dukje se ushtria është në nivelin e alarmit të lartë, në deklaratë thuhet se “Hamasi zgjodhi ngritjen e tensioneve dhe do t’i bartë pasojat e këtyre veprimeve. Ushtria e Izraelit aktualisht po kryen sulme në vende të ndryshme (të Gazës)”.

Netanyahu në Shtabin e Përgjithshëm

Sipas lajmeve të mediave izraelite, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka vizituar selinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tel Aviv për të diskutuar për gjendjen në Gaza.

Nuk ka ndonjë deklaratë nga autoritetet zyrtare në lidhje me takimin në fjalë.

4 palestinezë ranë dëshmorë

Në një deklaratë nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se katër palestinezë kanë rënë dëshmorë si pasojë e sulmeve gjatë ditës së sotme të ushtarëve izraelitë ndaj Gazës.

Palestinezët që nga 30 marsi e deri më tani, në kuadër të 42 vjetorit të Ditës së Tokës, organizojnë protesta paqësore nën moton “Marshimi i Kthimit të Madh” në kufirin e Rripit të Gazës me Izraelin.

Ndërkohë ushtarët izraelitë hapin zjarr me plumba të vërtetë ndaj palestinezëve të cilët kërkojnë “kthimin në tokat nga të cilat janë dëbuar dhe heqjen e bllokadës së paligjshme ndaj Gazës që nga viti 2006”.

Si pasojë e sulmeve të ushtarëve izraelitë në protestat paqësore të mbajtura që nga 30 marsi e deri më tani në Rripin e Gazës, më shumë se 140 palestinezë kanë humbur jetën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu