OJQ-të nga Kosova dhe Serbia, thirrje për zëra konstruktivë për të ecur bashkë përpara

Një grup prej 35 organizatash të shoqërisë civile nga Kosova e Serbia kanë bërë thirrje për zëra të rinj konstruktivë për të ecur bashkë përpara, për zëra që kërkojnë partneritete dhe koalicione përtej vijave të kuqe që supozohet t’i definojnë ato dhe për zëra që ngrihen publikisht “kundër retorikës përçarëse e poshtëruese”.

Në një komunikatë për media, organizatat e kanë quajtur dështim të imagjinatës politike ciklin e vazhdueshëm të përshkallëzimit dhe depërshkallëzimit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky reagim vjen pasi më 10 dhjetor serbët lokalë ngritën barrikada në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një ish-zyrtari serb të Policisë së Kosovës.

Ato kanë thënë se do t’i marrin përsipër kanalet e komunikimit që t’i zvogëlojnë mundësitë për keqkuptim dhe dezinformim.

Energjia që shpenzohet në përballje me krizën e fundit shpërqendron nga tërësia e çështjeve urgjente që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve në Serbi dhe Kosovë”.

“Trendi tashmë ekzistues është që njerëzit veç se po largohen nga Serbia dhe Kosova, veçanërisht të rinjtë. Ndërsa ngrihen barrikada të reja, aq dhe valixhe të reja mbushen. Shumë pak prej tyre ka të gjasë të kthehen. E ardhmja e vendeve tona do të jetohet diku tjetër. Shumë grupe që konsiderohen jashtë spektrit të dialogut Beograd-Prishtinë janë në themel të injoruar”, thuhet në njoftimin e 35 organizatave nënshkruese.

Sipas këtyre 35 organizatave se deri tash më shumë është folur pa e kuptuar njëri-tjetrin, duke këmbëngulur në rëndësinë e një pike, dhe duke nënvlerësuar apo injoruar ekzistencën e një tjetre.

Vetëm duke ndarë perspektivat dhe perceptimet nga komunitetet tona përkatëse mund të fillojmë të ecim drejt një rruge të përbashkët për të ardhmen. Shumë nga problemet me të cilat përballen komunitetet tona përkatëse janë pothuajse identike, megjithatë ne rrallë e pranojmë këtë fakt”, thuhet në komunikatë.

Nëse ka pasur ndonjëherë një kohë për solidaritet në dekadën e fundit, është kjo tani”, kanë thënë 35 organizatat duke shtuar se lufta në Ukrainë është përkujtim i dhimbshim i realiteteve të zymta të luftës “edhe pse trashëgimitë tona mbeten të afërta”.

Organizatat thonë se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me njëra-tjetrën dhe se “një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve është hap i parë jetik në ndërtimin e një të nesërme më të mirë. Por është vetëm një hap i parë”.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu