Një operacion i gjerë policor me përmasa ndërkombëtare ka nisur mëngjesin e sotëm në Kosovë, ku forca të shumta policore janë angazhuar në bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Fushë Kosovë.
Në shënjestër të hetimeve janë dyshimet për shpëlarje parash dhe veprimtari kriminale me shtrirje ndërkombëtare. Aksioni po zhvillohet në koordinim me autoritetet e huaja, përfshirë ato gjermane.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, operacioni po realizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Bastisjet po zhvillohen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Paralelisht me veprimet në Kosovë, operacione të koordinuara po zhvillohen edhe në Gjermani dhe në disa shtete të tjera evropiane.
Gjatë bastisjeve, hetuesit po kërkojnë telefona celularë, kompjuterë, pajisje të tjera elektronike, dokumentacion financiar, para të gatshme, ar dhe sende të tjera me vlerë, të cilat mund të shërbejnë si prova në hetim.
Hetimet pritet të përqendrohen edhe në analizimin e komunikimeve, transaksioneve dhe lidhjeve të mundshme financiare ndërmjet personave dhe subjekteve të dyshuara.
Operacioni zhvillohet në një kohë kur mashtrimet financiare, përfshirë ato përmes qendrave të thirrjeve (Call Center), janë bërë objekt i hetimeve nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse aksioni i sotëm lidhet drejtpërdrejt me ndonjë rrjet të tillë.
Deri më tani nuk ka të dhëna përfundimtare për numrin e lokacioneve të bastisura, personat e arrestuar apo vlerën e parave dhe sendeve të sekuestruara. Operacioni është ende në zhvillim.










