Opozita shqiptare kundërshton versionin e Ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat, i cili para dy ditëve arriti në kuvend. Kryetari i ASH-së Ziadin Sela tha se përmes mekanizmit të badenterit do të përpiqen ta bllokojnë që të mos kalojë.
“Fatkeqësisht ne kemi vetëm një mekanizëm për ta bllokuar, e ai është badenteri! Nuk e votojmë atë ligj dhe unë e kam shpreh prej kur mora variantin e parë të këtij ligji, kam thënë se nuk e votoj këtë lloj ligji. Dhe ju bëj thirrje të gjithë deputetëve shqiptarë që mos ta votojnë! Të ulemi e të sjellim një ligj siç duhet, unë e kam një propozim që do e ofroj nëse dikush mendon ndryshe jam i hapur i diskutojmë këto gjëra, por të jetë ligj që ndërton mekanizma që nuk do ketë nevojë të ketë garanca prej politikanëve, kushdo qoftë ai”, tha Zijadin Sela, Kryetar i ASH-së.
Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, tha se do të jetë përgjegjësi politike e Zijadin Selës por edhe e deputetëve të tjerë shqiptarë se si do të votojnë këtë ligj, apo me çfarë amendamente do ta plotësojnë.
“Tani partitë politike opozitare se si do të sillen është vendim i tyre politik, megjithatë konsiderojmë se kemi dhënë një propozim, i cili është edhe në suaza të Marrëveshjes së Ohrit që është dashur të miratohet ky ligj në katër vitet e para pas nënshkrimit të MO. Me një vonesë diku prej 20 vite ne e kemi propozuar një ligj konkret që besojmë se do të jetë ligji më i mirë për rrethanat aktuale që do të mbroj interesat etnike edhe të shqiptarëve por edhe të etniteteve të tjera”, theksoi Bekim Sali, zëvendëskryeministër i parë.
Nga partia VLEN kërkojnë përkrahje prej të gjithë deputetëve, që të miratohet ky ligj. Bashkëkryetari Bilall Kasami është i bindur se do të sigurojnë numrat e badenterit.
“Patjetër që do të sigurojmë badenter dhe deri më tani kemi siguruar badenter. Ne e kemi thënë, për dallim nga paraardhësit tanë, ne bëjmë punë e jo reklamë! Ligji për përfaqësim adekuat është një ligj që del nga Marrëveshja e Ohrit dhe e kemi obligim kushtetues të cilin BDI 20 vite nuk e bëri. Ne kemi përfundimisht një ligj të tillë i cili ka shkuar në Kuvend”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i VLEN-it.
Edhe BDI, propozim ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuate e ka cilësuar si skandaloz. Kritika më e theksuar e opozitës shqiptare është se ligji nuk parasheh masa ndëshkuese për mos respektim të ligjit dhe se askund nuk përmenden kuotat etnike.










