“Unë besoj, se nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar, përkatësisht amerikan, qeveria Mustafa do t’i ketë orët e numëruara. Opozitës dhe Listës Srpska do t’i bashkëngjiten edhe disa deputetë “të pabindur” të PDK-së dhe kështu ajo do të rrëzohet. Më tej nuk besoj, se do të ketë një qeveri tjetër përmes një mazhorance tjetër, sepse PDK ka interes jetik zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, diku nga shtatori”, ka thënë analisti Enver Bytyqi.
E mërkura pritet të jeta dita vendimtare, ku do të vendoset për rrëzimin apo jo të Qeverisë së Kosovës me në krye me Isa Mustafën. Kjo, pasi javën e kaluar opozita, dërgoi në Kuvend mocionin për rrëzimin e Qeverisë. Ata shpresojnë që përfundimisht mocioni të marrë votat e duhura dhe Qeveria të rrëzohet e vendi të shkojë në zgjedhje. Por, PDK-ja, si partneri më i madh i koalicionit qeverisës është parë vendimtari për këtë mocion, e kështu mendojnë edhe nga Qeveria. Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, ka thënë se rrëzimi i Qeverisë varet nga PDK-ja.
“Veç nëse opozitës i bashkohet PDK-ja, rrëzohet Qeveria”, është shprehur shkurt Gecaj për gazetën “Bota sot”. Se PDK-ja është vendimtare për rrëzimin e Qeverisë e thonë edhe nga LDK-ja. Deputeti i kësaj partie, Sadri Ferati ka thënë, se nuk dihet nëse do të ndodh rrëzimi i Qeverisë, pasi ende nuk dihet qëndrimi i qartë i PDK-së. “Opozita si opozitë po kuptohet që nuk i ka votat dhe duhet të shihet se çka thotë partneri i madh i koalicionit, pra PDK-ja dhe e gjithë kjo do të varet nga koalicioni dhe nëse PDK-ja e përkrah mocionin apo dëshiron ta ndërprejë koalicionin nënkuptohet që atëherë bie Qeveria”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.