Osmani i drejtohet Kushtetueses për KQZ-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor.

Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është për shkak se partitë kanë bërë më shumë propozime sesa që parasheh Kushtetuta.

“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigjen për KOHËN nga Kabineti i Presidentes.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar tre kandidatë për përfaqësim në KQZ, ani se Kushtetuta thotë ndryshe. Burime të KOHËS thanë se Alban Krasniqi është propozuar për edhe një mandat, ndërsa emra të rinj janë Violeta Emini dhe Njazi Isaku. Në Kushtetutë theksohet se gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta thotë se grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. Burime të KOHËS thanë se PDK-ja ka propozuar për anëtarë të KQZ-së, Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn, LDK-ja Sami Hamitin e AAK-ja Muharrem Nitajn. Sipas këtyre burimeve, nga komunitetet, vetëm nga ai turk është propozuar anëtari që ka shërbyer në mandatin aktual, ndërsa të tjerët janë emra të rinj.

Njësoj më 2021 kur Vetëvendosje pati fituar 50 për qind të votave, pati insistuar në propozimin e tre kandidatëve, por presidentja Osmani pati emëruar dy.

E një zvarritje të tillë të emërimit të anëtarëve të KQZ-së e pati bërë për disa muaj pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Kjo u pati bërë me arsyetimin se e ka të paqartë se si duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së pas rezultatit zgjedhor, kur atëherë fitues ishte koalicioni PAN i përbërë nga tri parti, PDK, AAK, NISMA i cili gjithashtu kërkonte tre anëtarë në KQZ.

Ndonëse Kushtetuesja nuk ia pati trajtuar kërkesën Thaçit, i pati trajtuar më pas vendimet e tij për emërimin e anëtarëve, nga dy për tri grupet e vetme parlamentare, të cilat ishin konstatuar në përputhje me Kushtetutën.

Ish-kryetari i KQZ-së dhe profesori universitar, Mazllum Baraliu thotë se kërkesa e LVV-së për tre përfaqësues në KQZ nuk ka bazë ligjore.

“Edhe më parë ka pasur tentativa të tilla të subjekteve politike jo vetëm të Vetëvendosjes, por që nuk janë miratuar. Ka pasur edhe iniciativë në Gjykatën Kushtetuese si kërkesë për t’u trajtuar, por nuk e ka trajtuar sepse s’ka çka trajton sepse Kushtetuta është e qartë dhe taksative si në nenin që përmenda më sipër, sa dhe kujt sa i takojnë”, ka thënë Baraliu.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.

Tashmë është përmbyllur afati ligjor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani, duhet t’i emërojë ose refuzojë të propozuarit e subjekteve politike për anëtarë të rinj të KQZ-së.

Me 9 mars presidentja ua kërkuar subjekteve politike propozimet për anëtarë të KQZ-së. Ato kanë pasur kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së presidentes me emrat e kandidatëve. E, pas pranimit të nominimeve, presidentja ka pasur kohë 5 ditë që t’i emërojë të propozuarit, ose t’i refuzojë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu