Cilat janë kërkesat e Bullgarisë për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe a mund të mbyllen deri në janar? Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, shpreson se mund të arrihet një marrëveshje. Ai mbrëmë në emisionin “Click Plus” të TV21 tha se kërkesat e fundit që kanë mbërritur nga Sofja zyrtare janë të ndryshme në krahasim me kërkesat e vitit të kaluar. Shefi i diplomacisë theksoi se deri më tani në bisedime është arritur përparim i madh.
“Ky është një “cak i lëvizshëm” gjatë gjithë kësaj periudhe në krahasim me atë se çka po kërkohet saktësisht. Gjërat ishin krejtësisht të ndryshme gjatë vizitës sime të parë në Sofje pasi u bëra ministër i jashtëm në tetor të vitit të kaluar, për një çështje krejtësisht të ndryshme, por arritëm një progres të caktuar“, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Sa i takon çështjes për gjuhën maqedonase, Bullgaria këmbëngul që ajo të quhet “gjuha e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Osmani thotë se ajo është pranuar nga Komisioni Evropian si gjuhë maqedonase por se Bullgaria mund të ketë qëndrim unilateral për këtë çështje.
“Vetëm gjuha maqedonase me notë unilaterale nga ana e Republikës së Bullgarisë deri te Këshilli i BE-së duke e shprehur qëndrimin e vet në lidhje me gjuhën, pastaj Unioni e regjistron këtë qëndrim të Republikë së Bullgarisë dhe shpjegimin tonë shtesë, si dy pozicione unilaterale të cilët BE-ja i regjistron si të tillë, ndërsa propozimi i Komisionit evropian mbetet në tryezë“, theksoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Edhe krahas paralajmërimeve të Osmanit se në dhjetor ndoshta mund të arrijmë marrëveshje me Bullgarinë dhe t’i debllokojmë eurointegrimet, megjithatë kjo gjë nuk ndodhi dhe përsëri morëm veto ndërsa Bullgaria arsyetohej se qeverisë së re i duhet ende kohë që të arrijë marrëveshje me Maqedoninë.
“Me të vërtetë kësaj here nuk mundeshin të thonë se Maqedonia e Veriut nuk është e gatshme për shkak se kishim dosje të kompletuar. Askush në Bruksel nuk mundi ta drejtonte gishtin drejt nesh. Prandaj gjetën argumente të tjera, se duhet kohë, se duhet të shqyrtohet Deklarata e Kuvendit bullgar, gjë që e kufizon këtë proces”, pohoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Kohë më parë kryeministri bullgar Kirill Petkov tha se gjatë muajit janar do që të zhvillojë takim me qeverinë e re të Maqedonisë ku do të bisedohet edhe për formimin e komisioneve në sfera të caktuara të cilët do të punojnë për tejkalimin e çështjeve të hapura.