Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim homologun e saj nga Kroacia, Zoran Milanoviq. Pas kësaj vizite, Osmani është shprehur se Kosova e vlerëson lart partneritetin dhe miqësinë me Kroacinë dhe popullin kroat.
“Dy popujt tanë ishin aty për njëri-tjetrin në ditë të vështira dhe kjo traditë e bashkëpunimit dhe e komunikimit të sinqertë kultivohet sot e kësaj dite ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve në të dy shtetet”, ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani po ashtu ka shtuar se sot është konfirmuar se do të vazhdojë edhe më tutje përkrahja e Kroacisë në rrugë euro-atlantike të Kosovës.
“Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në përpjekjet tona për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar. Sot u konfirmua se bashkëpunimi në këtë drejtim si dhe përkrahja për rrugën euro-atlantike të Kosovës do të vazhdojë edhe mëtutje”, ka shkruar Osmani.









