Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se sot gjatë ditës do të ndërmerret vendimi për taksën 100 ndaj Serbisë.
Osmani tha se do të takohet sot me kryeministrin Albin Kurti dhe do të ndërmarrin vendimet e përbashkëta si partneri koalicioni.
“Ne do t’i diskutojmë këto çështje sot gjatë ditës bashkë me kryeministrin dhe do të ju informojmë, është tejet me rëndësi që partnerët e koalicionit të ulen të diskutojnë detajet dhe të marrin vendime të përbashkëta”, ka thënë Osmani gjatë një vizite në Pejë, transmeton Gazeta Metro.
Osmani ka thënë se do të marrin një vendim që do të ruajnë interesat e vendit dhe partneritetin me miq, kjo çështje sipas saj do të zgjidhet shumë shpejt dhe do të kanë një dakordim LDK-VV.
“Jam e bindur se gjithnjë deri më tani se çdo dallim që mund të jetë teknialitet apo modalitet rreth asaj se si mund të i ruajmë interesat e vendit dhe partneritetit me miq do të zgjidhet shumë shpejt, prandaj edhe takimet që do t’i kemi sot gjatë ditës do të jenë në funksion të arritjes të një dakordimi të përbashkët”, tha Osmani, transmeton Gazeta Metro.
Kujtojmë se dje ambasadori Richard Grenell i ka reaguar ashpër Kurtit për mos heqjen e plotë të taksave, ai e ka paralajmëruar se po bën një gabim shumë serioz.










