Maqedonia duhet të ketë kandidat presidencial konsensual dhe kjo duhet të jetë me propozim të partive të cilat janë bartëse të proceseve të rëndësishme, në këtë rast LSDM-së dhe BDI-së, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane.
Mes tetë emrave të cilët më herët ishin përmendur në opinion, Osmani në intervistë për televizionin Tellma mbrëmë tha se nga lideri i BDI-së profesori Denko Maleski ishte vlerësuar si kandidat i mirë, ndërkaq ai ka qenë kandidat i tyre edhe në kohën e koalicionit me VMRO-DPMNE-në nga dy propozimet e mundshme për kandidat konsensual të cilët i dhanë atëherë, por, thotë, ishin refuzuar që të dy kandidatët.
“Kjo fletë vetëm për qëndrueshmërinë së pari të idesë së Ahmetit, por edhe të profilit të njeriut i cili duhet ta prezantojë atë ide, i cili duhet të reflektojë inkluzivitet, përkatësisht të jetë faktor koheziv. Mendoj se për momentin po ndodhin shumë gjëra, që të mund të lejojmë edhe një defokusim me temën se kush do të jetë kandidati”, tha ai.
Sipas tij, nuk duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse kemi çështje të rëndësishme të cilat duhet të ndiqen pas mbylljes së procesit të ndryshimeve kushtetuese.
“Duhet anëtarësimi në NATO të ratifikohet në vendet anëtare, duhet të fillojmë negociata me BE-në, duhet të fokusohemi në ekonominë. Shteti përfundimisht meriton një mandat të plotë, posaçërisht në rastin kur përfundojmë politikë dhe fillojmë politika. Deri më tani tema jo vetëm e kësaj Qeverie, por e të gjitha qeverive ishte politika. Ne duhet tashmë të fillojmë me politika ekonomike, me politika shëndetësore, arsimore, jashtë hijes e cila çështjet e mëdha politike i imponon mbi këto politika të rëndësishme për qytetarët. Prandaj konsideroj se duhet të kemi zgjedhje presidenciale dhe të fillojmë mandat në fokus të të cilit do të jetë edhe ekonomia edhe reformat, përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve”, tha Osmani.
Zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen në vitin 2020. Konsideroj se pushteti ka shumicë stabile dhe agjendë të definuar dhe nuk sheh arsye të eksperimentojë me zgjedhje të reja, ndërkaq nëse dikush do të donte zgjedhje të parakohshme, ai është BDI, sepse, thotë, në të gjitha anketat rejtingu që e ka BDI në elektorat do t’i sillte rezultate më të mira se zgjedhjet në vitin 2016.










