Në një intervistë për Nova TV, kryetari i Kuvendit dhe ish-kryetar i Alternativës, Afrim Gashi, ka folur hapur për zhvillimet e fundit në skenën politike, përfshirë largimin e Aleancës për Shqiptarët së Arben Taravarit nga koalicioni VLEN dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale. Ai thekson se koalicioni nuk është tronditur dhe se qytetarët po japin sinjale pozitive nga terreni.
Në pyetjen nëse ka frikë nga epilogu i zgjedhjeve lokale pas largimit të Aleancës për Shqiptarët së Arben Taravarit nga koalicioni VLEN, Gashi u përgjig:
“Nuk kemi aspak frikë nga zgjedhjet dhe jemi të bindur në rezultatin pas tyre. Do ta përsëris se VLEN nuk është ‘i plagosur’ e as që ka përjetuar ndonjë ‘tërmet’. Përkundrazi, zhvillimet e fundit dëshmojnë fuqinë dhe kohezionin e VLEN-it.”
Sa i përket përgatitjeve për zgjedhjet lokale, ai bëri të ditur se:
“VLEN tashmë e ka caktuar shefin e shtabit zgjedhor – deputetin Adnan Azizi, dhe janë duke u bërë analizat e nevojshme në terren.”
Gashi gjithashtu theksoi se terreni politik është premtues:
“Sinjalet që marrim nga anëtarësia dhe qytetarët janë pozitive dhe inkurajuese.”
Në vazhdim të intervistës, Gashi vlerësoi pozitivisht frymën që mbizotëron brenda koalicionit:
“Nga ajo që shoh dhe ndjej, atmosfera brenda VLEN-it është shumë pozitive, konstruktive dhe e bashkuar. Ka një fokus të qartë në agjendën e përbashkët për ndryshim dhe kjo reflekton në të gjitha nivelet – mes liderëve, në strukturat dhe në anëtarësinë në terren.”.InfoShqip.com