Pabesia e Suedisë: Leje për t’u djegur Kur’ani para ambasadës turke

Aktivisti i ekstremit të djathtë nga Danimarka, Rasmus Paludan, mori leje nga policia suedeze për të organizuar një protestë përpara ambasadës turke në kryeqytetin e Suedisë, Stokholm, më 21 janar, ku synon të djegë librin e shenjtë të Islamit, Kur’anin.

Kjo mund të komplikojë përpjekjet e Suedisë për të bindur Turqinë të miratojë anëtarësimin në NATO. Në të njëjtën kohë, grupet pro-turke dhe prokurde planifikojnë të mbajnë demonstrata në kryeqytetin suedez, raporton AFP.

Turqia po refuzon të miratojë ofertat e Suedisë dhe Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, duke i kërkuar Stokholmit të godasë kurdët dhe grupet e tjera që Ankaraja i konsideron terroriste. Suedia e ka siguruar Turqinë se nuk do të lejojë grupe terroriste në tokën e saj, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Por grupet pro-kurde dhe anti-NATO kanë ndërlikuar marrëdhëniet midis dy vendeve duke organizuar demonstrata antiturke që zemëruan qeverinë turke për varjen e një imazhi të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan jashtë bashkisë së Stokholmit javën e kaluar.

Tensionet mund të rriten më tej kur aktivisti anti-islam Rasmus Paludan ka në plan të djeg Kur’anin përpara ambasadës turke. Paludan, i cili gjithashtu ka nënshtetësi suedeze, ka organizuar tashmë akte të ngjashme në Danimarkë dhe Suedi, disa prej të cilave kanë shkaktuar kundër-demonstrata të dhunshme.

Ministri i Jashtëm suedez Tobias Billström tha se Suedia respekton lirinë e fjalës, por nuk donte të komentonte se si protesta e Paludan, e cila u miratua nga policia, do të ndikonte në ofertën e Suedisë për në NATO.

Një grup që e quan veten Komiteti Suedez i Solidaritetit për Rojava po planifikon gjithashtu demonstrata kundër Erdoganit dhe Suedisë në NATO. Ndërkohë, aktivistët proturq pritet të mblidhen në demonstrata të veçanta pranë ambasadës turke.

Reagimi

Ambasadori i Suedisë në Ankara, Staffan Herrstrom, u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë pasi u dha leje që të digjej Kur’ani para ambasadës turke në Stokholm, raporton Anadolia.

Herrstrom iu tha se Turqia e dënon ashpër këtë akt provokues, për të cilin thotë se është një krim urrejtjeje dhe se ky qëndrim i Suedisë është i papranueshëm.

Turqia tha se pret që akti i planifikuar të mos lejohet dhe se vlerat e shenjta nuk mund të fyen me pretekstin e të drejtave demokratike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu