Pajtueshmëria që nuk përfundoi me nënshkrimin e Kurtit e Vuçiqit

Takimi i sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përfundoi pa marrëveshje.

Megjithatë, Borrell, në një konferencë për media pas takimit, tha se pati pajtueshmëri për Planin Evropian mes liderëve dhe se të dy treguan gatishmëri për të gjetur zgjidhje, njofton Klankosova.tv.

“Liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Kam kënaqësinë të lajmëroj që Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që jo më shumë diskutime janë të nevojshme për propozimin evropian, i cili ka titullin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Le të kuptohet se Kurti e Vuçiq e kanë pranuar përfundimisht planin franko-gjerman. Teksti i propozimit do të publikohet shumë shpejt” u shpreh Borrell.

Borrell, mes tjerash, tha se pritet që gjatë marsit, të ketë edhe një takim tjetër i cili do të finalizonte zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Ata shprehën gatishmërinë e tyre, për të zbatuar marrëveshjen, por ende nevojiten negociata të tjera për të përcaktuar modalitete të ndryshme. Unë do të thërras edhe një takim tjetër gjatë marsit, me qëllim që të finalizojmë diskutimet për zbatimin e aneksit, që do të udhëzojë fazat e zbatimit”.

”Kjo është pjesë e marrëveshjes dhe duhet të finalizohet”, tha Borrell.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, takimin e sotëm e quajti shumë të vështirë dhe ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, por që sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar, njofton Klankosova.tv.

“Nuk është arritur asgjë përveç që do të bisedojmë. Si të bisedojmë kur ka kundërshtime për Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Së pari duhet të zbatohet, sido që ta ktheni, Asociacioni është në rend të parë. Pastaj do të shohim çfarë do të ndodh tutje. Kam ardhur për të nënshkruar një propozim”.

Vuçiq, mes tjerash, deklaroi se beson se do të mund të arrihet një marrëveshje mes palëve.

“Më datën 18 mars, duhet të shihemi në Maqedoninë e Veriut, ku Borrell do ta vizitojë rajonin. Ka qenë një takim shumë i vështirë. Natyrisht që përmenda takimin e ardhshëm, duhet patjetër. Kanë insistuar në zbatimin e marrëveshjeve për Asociacionin, Kurti ka refuzuar. Thotë se do të arrihet një marrëveshje, por ka mbetur në situatë të paqartë. Mirë që folëm, por besoj se do të gjendet një marrëveshje për të dyja palët”, u shpreh Vuçiq.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, për dallim nga Vuçiq dhe në përputhje me Borrellin tha se mes palëve pati pajtueshmëri teksa e konsideroi dëm mosnënshkrimin e marrëveshjes këtë të hënë, njofton Klankosova.tv.

“Për Asociacionin është neni dhjetë fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga gjithë. Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë”.

Megjithatë, Kurti tha se në rast që sonte do të nënshkruhej marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nuk do të ishte teksti i parë që ka firmën e kryeministrit të Kosovës dhe kreut të Serbisë.

“Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst. Nuk do të ishte teksti i parë që do të nënshkruhej nga kryeministri i Kosovës e kreu i Serbisë. Në Berlin kemi nënshkruar tri marrëveshje e katër kryeministra të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sot e u pajtuam. Duhej të rezultonte dakordimi me nënshkrim, ishte pala serbe që se bëri ndonëse u pajtua”, tha Kurti nga Brukseli.

Kujtojmë se ky ishte takimi i parë që iu kushtua propozimit të Bashkimit Evropian me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu