Pas shpërthimit të epidemisë së korona virusit të ri SARS-CoV-2 në qytetin Wuhan në Kinë dhjetorin e vitit të kaluar raportohet se deri më 20 mars së paku 11389 njerëz kanë vdekur nga sëmundja COVID-19. OBSH’ja e ka shpallur pandemi globale me 11 mars.
29806 raste të reja të COVID-19 dhe 1361 vdekje janë raportuar gjatë ditës së djeshme. Rastet e të prekurve që janë shëruar deri tani janë 91577, 33.3 për qind, të tjerët në trajtim mbesin 171889 raste, 62.5 për qind.
Përqindja e mortalitet të pandemisë së COVID-19 mbetet 4.1 për qind në shkallë botërore.
Ndonëse nisi në Kinë, tani pandemia është përhapur në 185 shtete dhe territore të botës. 73 prej tyre kanë raportuar fatalitete. Rastet e para të vdekjeve i raportuan dje edhe në Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe, Serbi dhe Gabon, Tani 71 për qind e rasteve të COVID-19 janë jashtë Kinës kontinentale.
Në SHBA numri i vdekjeve ka arritur në 261 dhe masa të rrepta po vendosen në nivelin federal dhe në nivelin e shteteve. Po ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar janë vendosur rregulla të rrepta me mbylljen e hapësirave publike.










