Parajsa e kthyer në ferrin shqiptar

Ka raste kur njeriu duhet të heshtë e të lërë natyrën të flasë, të dëgjojë thirrjet e rënkimet e saj, të kuptojë psherëtimat e detit dhe plogështinë e tokës…

Ky është bregdeti që ofron gjiri prej disa kilometrash i Kepit të Rodonit. Askush të mos habitet, nuk është as Sharra, as ndonjë pikë tjetër grumbullimi plehrash.

Lumi i Ishmit shkarkon këtu prej vitesh gjithçka hedh kryeqyteti, por edhe zona të tjera përreth.

Në këtë vend gjen gjithçka: këpucë të çfarëdo lloji, të çdo numri, më tej një top i shfryrë, kanoçe të ndryshme, bidonë, mbetje të të gjitha llojeve. Syri të zë në mënyrë të përsëritur po të njëjtat objekte, por të shtrira tjetërkund.

Ndotja është në ekstremin e saj. Vështirë të gjesh këtu edhe një pëllëmbë rëre që të mos jetë e ndotur.

Thuajse në të gjithë territorin dallohen mbetje të ndryshme spitalore. Mesa duket, ato shkarkohen në shkelje të plotë të ligjit, diku në Tiranë, e më pas vijnë këtu përmes Ishmit. Mes tyre bie në sy zhgualli i një breshke, që ndoshta ka rënë në rrjetat e peshkatarëve të zonës ose ka mbetur vetë këtu pa mundur të largohet, a thua se është relikte e kësaj ndotjeje të frikshme.

Ndotja vazhdon për kilometra të tëra, jo thjesht në tokë, por edhe në det. Është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të bësh një bilanc të dëmit ekologjik, sepse pamja duket vërtet katastrofike.

Dikur në këtë vend turistët ishin të pafundmë, nga e gjithë Shqipëria. Kjo mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Uji jo vetëm ishte i pastër, por edhe rëra vlerësohej për cilësitë e larta kurative.

Kanë kaluar më se 26 vite që i ngjasojnë një shekulli dhe ndotja vijon thuajse e njëjtë deri në Kepin e Rodonit.

Kjo zonë e gjerë, nga grykëderdhja e Ishmit e deri këtu, mund të ishte një pikë e rëndësishme turistike sepse natyra i ka dhënë gjithçka për të qenë e tillë. Por ndryshe nga çfarë duhej të ishte, sot është një pjesë e zaptuar nga plehrat.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu