Ajri tejet i ndotur vazhdon të jetë shqetësim i qytetareve të Shkupit. Një grup qytetarësh në parkun e qytetit tek shatërvani në Shkup, për nesër paralajmëruan protestë për siç thanë, nivelin e lartë të ajrit të ndotur. Kjo protestë organizohet nga një grup qytearësh dhe eko-aktivistësh. Megjithatë, siç thonë këta, protesta nuk është mbështetur nga asnjë parti politike.
“Ndotja e ajrit është në nivelin më të lartë deri më tani, madje edhe 20 herë mbi nivelin e lejuar. Sëmundjet dhe rastet e vdekjes për shkak të ajrit të ndotur, kanë shënuar rritje drastike.”
Ndaj ndotjes së ajrit ka reaguar edhe politika. Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të ndotjes enorme. Nga kjo parti shtojnë se si rezultat i ajrit të ndotur, në Maqedoni janë shënuar 1200 raste të vdekjeve dhe humbje financiare prej 250 milionë euro në vit. Nga Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë propozojnë edhe masa konkrete për reduktimin e nivelit të ndotjes së ajrit.
“Në kushte të pranisë 20 herë më të lartë nga niveli i lejuar i grimcave PM10, RDM insiston në realizimin e masave urgjente: transport publik pa pagesë me vendosjen e më shumë autobusëve në qarkullim, vendosje të tarifës energjetike ditore të lirë për amvisëri, vendkalim për këmbësorë dhe për biçikleta në qendër, ndalim për qarkullimin e veturave nën standardin euro 4 në komunikacionin e kryeqytetit”, tha Maja Moraçini, zëdhënësja e RDM-së.
Reaguan edhe nga Lidhja Socialdemokrate. Nga kjo parti theksojnë se në vend të milionave të harxhuara për fasadat barok, monumentet dhe rrotën panoramike, do të ishte më mirë që qytetarët të subvencionohet për të blerë paleta.
“Nuk po merret asnjë masë efektive pavarësisht se klinikat janë të mbushura me fëmijë dhe pavarësisht numrit të lartë të qytetarëve të sëmurë. Kjo është papërgjegjësi totale”, thonë nga LSDM.
Koncentrimi i lartë i grimcave PM10 përsëri po e ndotin ajrin në Shkup. Aspak më pozitive nuk janë as të dhënat edhe për Manastirin, Kumanovën dhe Tetovën. Ajri i ndotur u pengon qytetarëve dhe thonë se qeveria duhet të ndërmarr masa për këtë çështje.










