Paralajmërimi shqetësues i Trumpit pas takimit me rusët: ‘Mund të them madje se mund të përfshijë të gjithë Evropën’

Presidenti amerikan Donald Trump pohoi se mund të arrihet një marrëveshje e madhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe pas takimit me dërguarin e posaçëm të presidentit rus, Kirill Dmitriev, në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se marrëveshja mund të përfshijë edhe vendet e tjera evropiane.

Trump nuk dha detaje mbi bisedimet, por tha se marrëveshja do të jetë “e madhe” dhe se “të gjithë do të jenë të entuziazmuar”.

“Do të arrijmë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje e madhe që do të përfshijë më shumë se vetëm Ukrainën. Mund të them madje se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe, e bukur. Të gjithë do të jenë të entuziazmuar”, deklaroi presidenti amerikan.
Me këtë rast, ai përmendi se nuk është takuar me përfaqësuesit ukrainas që po ashtu kishin udhëtuar drejt Uashingtonit.

Zyrtarët amerikanë në Bruksel ndërkohë kanë zhvilluar bisedime me përfaqësues të Ukrainës, NATO-s dhe partnerëve evropianë. Dhëndri i Trump, Jared Kushner, i vlerësoi ato si produktive dhe përmbajtësore, duke theksuar se ato lidheshin me garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe me strukturën më të gjerë të sigurisë evropiane.

Kushner shtoi se SHBA, së bashku me palët e përfshira, po kërkon zgjidhje praktike për t’i dhënë fund luftës dhe për të ulu riskun e konflikteve të ardhshme.

Më herët gjatë ditës së enjte, Dmitriev, në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, falënderoi zonjën e parë Melania Trump për kontributin e saj në arritjen e një armëpushimi të përkohshëm në qytetin ukrainas Oleshky, i cili është nën okupimin rus.

Armëpushimi zgjati nga e marta deri të diellën mbrëma të javës së kaluar. Rusia dhe Ukraina e falënderuan Melania Trump për përpjekjet e saj për të evakuuar njerëzit e bllokuar në qytet, ku kishte mungesë ushqimi dhe furnizimesh mjekësore.

Dmitriev, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, kishte biseduar edhe më parë me zyrtarët amerikanë në Shtëpinë e Bardhë në prill të vitit 2025, por prapa dyerve të mbyllura. Sipas medieve amerikane, kjo ishte paraqitja e tij e parë në një aktivitet të njoftuar zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë, si dhe duket se është takimi i parë i drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas në atë ndërtesë.(INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu