Pardew: Diplomacia amerikane po favorizon sot Serbinë

Ish-diplomati amerikan, James Pardew në shkrimin me titull “Ndërkohë që COVID19 ka përfshirë botën, Uashingtoni merret me lojëra të fëlliqura në Ballkan”, i kërkon Richard Grenellit të mos merret me Ballkanin, se nuk ka kompetencë.The Hill, botoi një shkrim të James Pardew me titull “Ndërkohë që COVID19 ka përfshirë botën, Uashingtoni merret me lojëra të fëlliqura në Ballkan”.

Autori, oficer karriere në shërbimet ushtarake të inteligjencës shtron që në fillim të shkrimit pyetjen, se cilat mund të jenë interesat amerikane për hir të të cilave, diplomacia e administratës së Donald Trumpit është duke destabilizuar Kosovën, “këtë vend të vogël dhe të pambrojtur pro-amerikan të Ballkanit”, në një kohë që pandemia botërore e shëndetit ka kapluar botën? Pse e bën një gjë të tillë ekipi i Trumpit, kur dihet që SHBA ndaloi me forcë Serbinë, që të mos kryente gjenocid në Kosovë në vitin 1999?“Kjo gjë është shumë e çuditshme kur mendon që SHBA-ja ka luajtur rolin kryesor në dhënien e pavarësisë Kosovës dhe që nga ajo kohë Kosova ka qenë vendi më pro-amerikan i Evropës. Sot, shkruan ai, diplomacia amerikane favorizon Serbinë, aleatin më të ngushtë të Rusisë në rajon”, shkruan më tej Pardew, i cili e njeh mirë rajonin, ku ka shërbyer edhe si ambasador në Bullgari.

Më tej ai i kthehet Grenellit, të dërguarit të Trumpit, “i cili i ka bërë presion Kosovës, që të pranojë kërkesat serbe si pjesë e ‘negociatave’ për normalizimin midis dy vendeve”.Grenell drejton diplomacinë amerikane në Kosovë në një kohë që mban postin e ambasadorit amerikan në Gjermani dhe të drejtorit në veprim të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës.

“Ky është një varg absurd detyrash për dikë që ka eksperiencë të kufizuar diplomatike dhe nuk ka aspak eksperiencë në fushën e shërbimeve të inteligjencës”, shkruan James Pardew, i cili e shpreh qartë mosvlerësimin për Grenellin, për të cilin thotë se, “ka qenë katastrofë si ambasador në Gjermani, aleatin më të rëndësishëm demokratik të Amerikës në Evropë. Zyrtarët gjermanë mezi presin largimin e Grenellit”.Gazeta online The Hill, me bazë në Uashington ku është botuar shkrimi i James Pardew, e ka bazën në gazetën e printuar me të njëjtin titull, hapur më 1994 nga dy ish gazetarë të Nju Jork Times. The Hill informon kryesisht mbi Kongresin amerikan, (Parlamentin), presidencën dhe fushatat elektorale.James Pardew, e quan presidentin serb Aleksandar Vuçiq, “një nacionalist serb që përdor si mjet politik për të marrë mbështetje urrejtjen etnike, siç ka pas bërë në vitet 1990 Sllobodan Millocheviqi”.

Pardew, që përveç postit të ambasadorit amerikan në Bullgari, ka mbajtur edhe postin e zëvendëssekretarit të përgjithshëm të NATO-së, vlerëson se, “udhëheqësit serbë vazhdojnë të ushqejnë ndarjet dhe armiqësitë si në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë” dhe se “Vladimir Putini lumturohet kur e ndihmon Beogradin në çdo gjë që përçan unitetin midis Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara”.“Ajo që është duke bërë Trumpi dhe Grenelli tani në Kosovë shkatërron themelet e politikës së suksesshme amerikane në rajon”, shkruan autori, ku më tej ai shpjegon pse.

“Një nga principet amerikane që sollën paqen në rajon më 2008, ishte nocioni se kufijtë janë të vendosur dhe zgjidhjet politike duhen gjetur brenda kufijve të kombit, për të cilin bëhet fjalë. Marrëveshja e Ohrit që pengoi luftën në Maqedoni, thoshte qartë se, ‘nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike. Territoret nuk janë zgjidhje për probleme të tilla’”, shpjegon ai.Përpjekjet amerikane në ish-Jugosllavi, autori i quan, suksese të mëdha të politikës së jashtme amerikane në periudhën e hershme post-sovjetike. Ai kujton se kur ish-Jugosllavia u shpërbë, drejtimi amerikan në koalicion të ngushtë me partnerët ndërkombëtar, duke përdorur diplomacinë dhe forcën ushtarake i dha fund gjenocidit serb në Bosnjë e Hercrgovinë, ndaloi katastrofën humanitare në Kosovë dhe parandaloi luftën civile në Maqedoni nga 1995 deri më 2008, shkruan Pardew, në këtë op-ed, që është shkurtimi për “opposite the editorial page”, “përballje me editorialin”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu