Parlamenti i Maqedonisë mbetet pa kryetar të ri

Sot është zhvilluar senaca me përbërjen e re të Parlamentit të Maqedonisë ku janë verifikuar mandatet por nuk është zgjedhur edhe kryetari i ri i parlamentit. Kryetari i përbërjes së nëntë të parlamentit të Maqedonisë do të zgjidhet pas festave, pasi që të konfirmohet se kush e ka shumicën në parlament.

Në seancë ishin prezent të gjithë deputetët e zgjedhur më 11 dhjetor, me përjashtim të deputetëve të PDSH-së, Menduh Thaçi dhe Bardhyl Dauti që nuk ishin prezent. Në seancën konstitutive, deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi bëri vërejtje pse materialet nuk ishin në gjuhën shqipe dhe kërkoi që të mos verifikohet, mandati Johan Tarçullovskit.

“Më lejoni të theksoj brengën e thellë se përse ky dokument nuk është bërë edhe shqip, shkaku i thjeshtë se kolegët tanë të BDI-së, shpesh e kanë thënë se shqipja është bërë zyrtare. Dua të uroj kolegëve tanë të BDI-së, deputetin e VMRO-së në zonën e dytë që ata ja hoqën koalicionit Rilindje me BESË. E fundit që dua të them, jam shumë i brengosur që në këtë kuvend të popullit po bëhen deputetë edhe dikush i cili nga Gjykata e Hagës ishte i gjykuar për krime kundër civilëve shqiptarë në vitin 2001. Më vjen shumë keq edhe pse është shumë e rastësishme që ata të vrarit ishin bashkëfshatar të mi të fshatit Luboten, por i bëj thirrje këtij Kuvendi që të mos e verifikoj mandatin e këtij deputeti”.

Kjo është hera e parë në historinë e Maqedonisë së pavarur, që seancën konstituive nuk e kryeson deputeti më i vjetër, sepse kryetari i përbërjes së kaluar parlamentare dhe deputeti aktual, Trajko Velanovski ka këmbëngulur që ta udhëheqë këtë mbledhje, duke iu referuar ndryshimeve në Rregullore nga viti 2013. Këtë vendim të Velanovskit, që është edhe deputet I VMRO DPMNE, e ka kritikuar Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.

Përbërja e re parlamentare ka 120 deputetë, tre më pak se parlamenti i kaluar, sepse nuk janë zgjedhur deputetët e diasporës sepse nuk ishte e mjaftueshme pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 Dhjetorit.
Në këtë përbërje VMRO DPMNE e Nikolla Gruevskit ka 51 deputet, LSDM 49, BDI 10, Lëvizja BESA pesë, Aleanca për Shqiptarët tri, dhe PDSH dy.

Ndryshe, i mandatuari për kryemnistër duhet që në afat prej 20 ditësh të dorëzojë prgramin pranë Parlamentit dhe të prezantojë anëtarët e qeverisë së re. Nëse kjo nuk arrihet, procesi përsëritet, dhe i mandatuari përzgjedhet nga partia e dytë që ka numrin më të madh të deputetëve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu