Partitë e tjera shqiptare a do jenë pjesë e Qeverisë LSDM-VMRO pa BDI-në

Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, pranoi që VMRO-DPMNE-ja të bëhet pjesë e një qeverie me bazë të gjerë, me qëllimin bërjen e mundshme të ndryshimeve kushtetuese në kuadër të procesit të integrimit.

Por kushti i opozitës maqedonase ishte që Bashkimi Demoratik për Integrim (BDI) të mos jetë pjesë e kësaj qeverie.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, tha se nëse opozita maqedonase kërkon me çdo kusht që BDI-ja të mos jetë pjesë e qeverisë në këmbim të ndryshimeve kushtetuese, ai tha se ata janë të gatshëm të bëjnë një hap mbrapa duke kaluar në opozitë, por me kusht që si fillim të votohen ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi se janë janë pranuar të gjitha propozimet që kishte VMRO-DPMNE-ja.

Sipas tij, madje është pranuar edhe kërkesa që kishin në lidhje me BDI-në, është pranuar në një kumtesë për shtyp nga vetë BDI-ja.

Lidhur me kushtin e kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, që partia e tij të hyjë në qeveri me shumicë të zgjeruar, por pa BDI-në, deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të Aleancës për Shqiptarët (ASh), Halil Snopçe theksoi se do të dalin nga qeveria, do të mbështesin çdo marrëveshje mes LSDM-së dhe VMRO-së dhe le të miratohen ndryshimet kushtetuese.

“Por, kjo nuk është diçka e re në diskursin e politikanëve maqedonas. Historia, për fat të keq, përsëritet. Tendenca është që në mënyrë indirekte të ndihmohet BDI-ja. Dhe tani kuptohet se do të ketë reagime, pastaj kundërreagime, pastaj spinime, të shoqëruara me kundërspina, që sërish e vendos BDI-në në qendër të vëmendjes si aktor politik. VMRO-DPMNE ka kohë që punon në këtë drejtim. Reagimet e VMRO-DPMNE-së kundër Bechtel-it dhe Enkës, reklamat e bëra së fundmi nga VMRO-ja për Grubin, për Osmanin dhe figura të tjera të BDI-së janë pikërisht në këtë drejtim”, tha Snopçe për CIVIL Media.

Zërat se në Qeverinë e re që flitet se do të formohet nga VMRO dhe LSDM do të marr pjesë dhe Lëvizja Besa, kjo e fundit i hedh poshtë përmes deklarimeve të kryetarit të saj Bilall Kasami i cili e mohon një gjë të tillë.

Sipas Kasamit, Lëvizja Besa do bëhet pjesë e Qeverisë edhe atë pas zgjedhjeve që do të mbahen por si fituese në kampin politik shqiptar.

“Jo. Lëvizja Besa do të futet në Qeveri vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme, si fituese e atyre zgjedhje te kampi politik shqiptar” tha Kasami për Zhurnal.

Maqedonia e Veriut duhet t’i përmbahet kornizës negociuese me Bashkimin Evropian dhe ndryshimet kushtetuese t’i miratojë para se të nisin bisedimet për kapitujt, por Qeveria mbetet e hapur të bisedojë me opozitën për të gjitha modalitet lidhur me zbatimin e këtij detyrimi të rëndësishëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu