Deputetët nuk do t’i kthehen Kuvendit dhe kjo krijoi kushte që zgjedhjet të mos prolongohen. Në emisionin “Click plus” u tha se në takimin e liderëve është kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 12 korrik.
Kërkesën e ka bërë Aleanca për Shqiptarët mbi bazën e rezultateve për virusin Kovid-19, deklaroi sekretari i përgjithshëm, Arben Taravari.
“Menjëherë sa të kalojë, sa të krijohen kushtet… Ne jemi sa më shpejtë të mbahen, edhe atë në takimin e liderëve e kemi propozuar 12 korrikun, ose 19 korrikun si dy prej datave që janë të mundshme nëse çdo gjë shkon sikurse është duke rrjedhë me pandeminë e Kovid-19, nëse nuk ka komplikim. Prioritet për ne sërish mbetet pandemia me Kovid-19”, tha Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm ASH.
Të pyetur se a pajtohen me këtë afat të zgjedhjeve, nga VMRO-DPMNE-ja nuk u deklaruan qartë. Lideri Hristijan Mickoski tha se ata janë për mbajtje të zgjedhjeve, por pasi të kalojë, siç tha ai “gjendja e krizës”.
“Në kushte kur kemi krizë ekonomike, sanitare, arsimore… në kushte kur de fakto kemi gjendje të krizës në shtet, njëri nga tre prioritetet e VMRO-DPMNE-së nuk është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Fillimisht të luftojmë për shëndetin e qytetarëve, ta kthejmë ekonominë në rrugë dhe më pas mund të mendojmë për zgjedhje. Kurdo që do të mbahen të njëjtat, VMRO-DPMNE-ja do ta shkatërrojë LSDM-në”, tha Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, Talat Xhaferi nuk e bëri publik qëndrim e tij, ndërkaq tha se afatet ligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin.
“Afatet i përcakton kushtetuta. Qeveria ka miratuar dekret me forcë të Ligjit. Se çfarë ka bërë me atë dekret, mendoj se duhet ta dini. I ka pezulluar të gjitha afatet e vendimit ose aktin për shpallje të zgjedhjeve. Drejtësia është e qartë, nuk ka nevojë për debat politik se çfarë duhet të bëjmë. Aty ku kanë mbet gjërat”, tha Talat Xhaferi, BDI.
Në dekretin që u miratua nga Qeveria më 22 mars, u soll vendim që të ndërpriten të gjitha aktivitetet që lidhen me zgjedhjet të cilat duheshin të mbaheshin më 12 prill, ndërkaq të cilat me marrëveshje politike u anuluan edhe te presidenti Stevo Pendarovski. Sipas dekretit procedurat zgjedhore pezullohen, ndërkaq riaktivizohen nga Komisioni shtetëror i zgjedhjeve në momentin kur shpallet ndërprerje e gjendjes së jashtëzakonshme. Nga mesi i majit është paralajmëruar edhe takim i ri, ku në rend dite krahas pandemisë me virusin korona, pritet të sillet edhe vendimi për mbajtje të zgjedhjeve./TV21








