Partitë politike dorëzuan sot në Komisionin Shtetëror Zgjedhor raportin financiar për harxhimin e parave në 10 ditët e para të fushatës zgjedhore.
Deri në orën 14:00 raportet i kanë dorëzuar 8 subjekte dhe afati për paraqitjen e tyre mbyllet në mesnatë.
“Pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore e kanë për obligim që në ditën e 11 të fushatës zgjedhore të japin raport financiar me detajet e shpenzimeve dhe të hyrave në xhiro-llogarinë e tyre për kampanjën zgjedhore, duke filluar prej ditës së parë të saj e deri në ditën e dhjetë”, thuhet në Kodi zgjedhor, Neni 84-B.
Nga raportet e dorëzuara, për momentin dihet vetëm se ai i shpenzimeve të BDI-së me mbi 6 milion e 880 mijë denarë, të gjitha këto donacione.
Ish-anëtari i komisionit shtetërorë për anti-korrupsion, Arif Musa thotë se numrat që japin partitë politike pa përjashtim nuk korrespondojnë me realitetin, transmeton Alsat.
“Partitë politike asnjëherë nuk i kanë bërë transparente financimet e tyre, si parti politike e mos të flasim për kampanjat zgjedhore.
Kampanjat zgjedhore nuk reflektojnë realitetin e vërtetë të harxhimeve të cilat i bëjnë në kampanjat zgjedhore”, u shpreh Musa.
Raportin financiar partitë politike e dërgojnë deri tek Ministria e Financave, Zyra për të ardhurat publike, Regjistri Qendror dhe Enti shtetëror i revizionit.










