Partitë politike shqiptare pro zgjidhjes së kontestit të emrit

Partitë shqiptare në Maqedoni do të kishin përkrahur çdo veprim që do të çonte deri tek zhbllokimi i kontestit të emrit me Greqinë, sepse kjo do të hapte rrugën e integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë. Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi thotë se kjo parti është e gatshme që ta japë kontributin e saj për zgjidhjen e këtij konteksti, shkruan DW, transmeton Zhurnal.

“BDI është e përcaktuar për debllokim të situatës aktuale dhe për anëtarësim sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO. BDI është pro proceseve euroatlantike. Ne jemi të gatshëm që ta japim kontributin tonë që Maqedonia të anëtarësohet në strukturat evropiane”, vlerson Arbër Ademi.

Edhe Aleanca për Shqiptarët do ta përkrahë konceptin e konsensusit apo referendumit për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Gjithsesi jemi të interesuar për zgjidhjen e çështjes së emri kjo do të thotë se do ta përkrahim këtë proces”, thotë Flakron Bexheti nga Aleaca për Shqiptarët.

Ndërsa Lëvizja Besa synon që emri i shtetit të jetë mbietnik dhe të mos ketë lidhje specifike me asnjë etni në Maqedoni.

“Konform ridefinimit do të donim që emri i shtetit të jetë mbietnik dhe të mos ketë lidhje specifike me asnjë etni në Maqedoni. Me fjalë të tjera, në këtë mënyrë do të vihej në praktikë edhe modeli aq shumë i promovuar qytetar”, shprehet zëdhënësi i Lëvizjes BESA Faton Fazliu.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu