Pas 37 vitesh në fuqi, Rusia prish traktatin bërthamor me SHBA

Rusia është tërhequr zyrtarisht nga traktati bërthamor i vitit 1987 me SHBA-në, duke e cilësuar këtë si rezultat të “politikave të NATO-s” dhe një “kërcënim të drejtpërdrejtë” për sigurinë e saj.

Kjo do të thotë se tani Rusia mund të vendosë raketa bërthamore me rreze të mesme pranë vendeve të NATO-s, duke rritur ndjeshëm rrezikun për një përshkallëzim ushtarak në Europë dhe Azi.

Ky zhvillim ndodh disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore pranë Rusisë. Ministria e Jashtme ruse deklaroi se kushtet për respektimin e traktatit janë zhdukur dhe se Rusia nuk do të zbatojë më kufizimet e vetëvendosura.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev fajësoi vendet e NATO-s për situatën dhe paralajmëroi hapa të tjerë nga Moska. “Kjo është një realitet i ri me të cilin kundërshtarët tanë do të duhet të përballen,” tha ai, duke shtuar se Rusia do të reagojë.

SHBA u tërhoq nga traktati në vitin 2019, duke akuzuar Rusinë për mosrespektim. Moska deri tani ishte zotuar se nuk do të vendoste raketa të ndaluara, për sa kohë që SHBA nuk e bënte. Por tani paralajmërohet se armë të tilla amerikane po vendosen në Europë, Azi dhe Paqësor, çka e ka ndryshuar plotësisht situatën.
Çfarë është Traktati INF?

I nënshkruar në dhjetor të vitit 1987 nga Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev, traktati ndalonte raketat tokësore me rreze nga 500 deri në 5500 km. SHBA shkatërroi 846 raketa, ndërsa Bashkimi Sovjetik 1846. Traktati nuk përfshinte armët ajrore apo detare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu