Pas iftarit drejt në spital të Tetovës

Këtyre ditëve në repartin e Ndihmës së shpejtë në Tetovë janë shtuar radhët e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore sidomos në mbrëmje. Sipas mjekëve në këtë repart, ndihmë kërkojnë personat e moshës madhore, sidomos ata që agjërojnë, shkruan gazeta KOHA.

Mjekët thonë se brenda një orari në mbrëmje ka rreth 80 pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore, pjesa dërmuese për shkak të problem që u shfaqjes pas ngrënies së iftarit. “Viteve të fundit gjithnjë muaji i Ramazanit është në muajt e verës dhe me një kohëzgjatje rreth 18 orëve e më shumë.

Prandaj, në periudhën para iftarit dhe pas saj kemi më shumë pacient. Këtë vit gjendja nuk është alarmante. Numri është konstant që nga fillimi i këtij muaji, nga 60 deri në 80 pacientë, brenda 12 orëve. Megjithatë, në këtë numër përfshinë edhe rastet tjera që kërkojnë ndihmë, gjegjësisht pacientët me sëmundje të ndryshme dhe ato me sëmundje kronike”, thotë Gëzim Nuredini, kryeshef i Ndihmës së Shpejtë në Tetovë.

Në ndërkohë, ai nënvizon se në këtë periudhë pritet që më shumë të ketë problem edhe te pacientët tjerë për shkak të temperaturave dhe moskujdesit ndaj ushqimit. Disa ditë me radhë ka shumë pacientë që kanë bark-qitje dhe vjellje. “Kemi pacient të cilët për shkaqe të ndryshme kanë barkqitje. Kjo vërehet gjatë këtyre ditëve kur kemi rritje të temperaturave, po ashtu kemi pacient me vjellje. Një situatë e këtillë presim që të jetë më shumë prezent në periudhën që vjen. Shkaqet janë rritjet e temperaturës, higjiena e hapësirës ku përgatitet ushqimi, higjiena e duarve. Këshilla është që vendi ku përgatitet ushqimi të ketë kushte higjienike. Ushqimi që ruhet në vende të ndryshme ka rrezik që pas një kohe të gjatë të kontaminohet. Higjiena e duarve është e rëndësishme. Për fat të mirë, organizmi i njeriut është shumë i fortë dhe bën rezistencë ndaj shumë ushqimeve, të cilët shiten në vende të ekspozuara dhe mund të kenë baktere të ndryshme, pluhur dhe papastërti. Në këtë drejtim kemi edhe prodhimet e mishit, të cilët qëndrojnë në temperature të larta, pastaj nxirren në temperature të ulëta dhe këto nuk janë ushqime të sigurta për t’u konsumuar”, tha për KOHA, Nuredini.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu