Pas SHBA-së e Çekisë, Rusia ia kthen edhe Bullgarisë me dëbim diplomatësh

Rusia të martën i shpalli “persona non grata” dy diplomatë bullgarë. Kjo masë është hakmarrje për veprimin e njëjtë që e bëri Bullgaria ndaj dy diplomatëve rusë muajin e kaluar.

Këto dy shtete janë përfshirë në tensione diplomatike pas një rasti të dyshuar të spiunazhit në Bullgari, ndërsa lajmin për dëbimin e diplomatëve bullgarë e bëri të ditur Ministria e Jashtme e Rusisë.

Bullgaria i dëboi dy diplomatë rusë në mars, pasi prokurorët ngrenë aktakuzë ndaj gjashtë personave, përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të inteligjencës ushtarake, të cilët i akuzuan për spiunazh për Rusinë.

Muajin e kaluar, Ministria e Jashtme e Bullgarisë tha se u kishte dhënë 72 orë afat diplomatëve rusë për t’u larguar nga vendi pasi ata u akuzuan zyrtarisht për përfshirje në veprime që nuk janë në përputhje me statusin e tyre.

Që nga tetori i vitit 2019, Bullgaria ka dëbuar gjithsej tetë diplomatë rusë, përfshirë një atashe ushtarak, duke i tensionuar raportet me një shtet me të cilin tradicionalisht ka pasur marrëdhënie të ngushta.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu