Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i specializuar për ndjekjen e veprave penale të kryera nga persona me autorizime policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, kundër disa personave të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kallëzim penal është ngritur kundër M.S., polic në Departamentin për Sigurinë e Trafikut Rrugor në SPB Shkup, i cili në kohën e kryerjes së veprës me urdhër ka qenë i sistemuar në Departamentin për Punë Administrative Shkup, për shkak të dyshimit për veprat penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 paragrafi 1 të Kodit Penal dhe “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 2, në lidhje me nenet 22 dhe 45 të Kodit Penal.
Kallëzim është ngritur edhe kundër P.P., polic në Njësinë e Policisë Intervenuese në SPB Shkup, për veprat penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” sipas nenit 359 paragrafi 7 në lidhje me paragrafin 2 dhe nenin 22, si dhe “marrje ryshfeti” sipas nenit 357 paragrafi 2 në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal.
Po ashtu, të dyshuar janë edhe V.R., e punësuar si mësuese në një shkollë të mesme në Shkup, dhe A.S., i punësuar si zjarrfikës në Qytetin e Shkupit, për veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”.
Sipas MPB-së, të dyshuarit në periudhën nga shkurti deri në prill 2024, me marrëveshje paraprake, kanë krijuar një skemë për organizimin dhe realizimin e procedurave për lëshimin e dokumenteve personale (letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer), me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror.
Personi i tretë dhe i katërt i denoncuar kanë gjetur qytetarë të interesuar për pajisje me dokumente personale dhe kanë pranuar të dhënat e tyre në formë fotografish, të cilat më pas ia kanë dërguar të dyshuarit të dytë. Ky i fundit ka ndërmjetësuar dhe ka ndërhyrë që qytetarët të fillojnë procedurat, duke e nxitur të dyshuarin e parë – si person zyrtar përgjegjës për fotografim dhe pranim kërkesash – që t’i përpunojë lëndët.
Veprimet janë kryer me marrëveshje paraprake për kompensim në para, me çmim, kohë dhe mënyrë të përcaktuar, si dhe me role të ndara mes tyre, duke krijuar një mënyrë paralele dhe joformale të veprimit, përmes së cilës, kundrejt pagesës, u mundësohej qytetarëve përfitim më i shpejtë i shërbimeve publike, në kundërshtim me parimin e qasjes së barabartë në shërbimet publike./INA/










