Pasi quajti Putin “vrasës”, Trump mbështet fuqishëm NATO–n

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar mbrëmë se presidenti amerikan, Donald Trump, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë biseduar me telefon për konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës.

Mëtutje, në kumtesë theksohet se “është diskutuar potenciali për zgjidhjen paqësore të konfliktit”, në pjesën lindore të Ukrainës, pa dhënë detaje të tjera.

Trump, i cili në të kaluarën e ka kritikuar aleancën, gjatë bisedës telefonike ka shprehur “mbështetje të fuqishme” për NATO-n, por ka kërkuar që aleatët të kontribuojnë më tepër financiarisht.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Donald Trump është pajtuar, që në muajin maj të marrë pjesë në samitin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s në Evropë.

Ndërsa në një intervistë për “Fox News”, Presidenti i SHBA-ve, Donald J. Trump ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është një vrasës por edhe Amerika është një e tillë.

“Në botë ekzistojnë shumë vrasës! Edhe ne kemi një listë të gjatë vrasësish. Çfarë mendoni ju se vendi ynë është i pafajshëm?”, tha Donald Trump.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu