Pavarësisht mosmarrëveshjeve, Fatmir Limani dhe Arben Fetai nuk do të shkarkohen nga pozitat qeveritare

Arben Fetai dhe Fatmir Limani do të vazhdojnë të jenë pjesë e eshalonit ekzekutiv të VLEN-it edhe pse në strukturat amë partiake e kanë humbur potencën politike, ndërsa funksionet i ushtrojnë me pëlqimin e kryeministrit Hristijan Mickoski, por pa koordinim me VLEN-in. Kjo situatë ka vënë në siklet koalicionin që paralajmëron të shndërrohet në parti, meqë duket se pa lejen dhe miratimin e mandatarit Mickoski, VLEN nuk ka fuqi të zëvendësojë kuadrot e saj, shkruan Alsat.

“Tash jemi në proces të krijimit të VLEN dhe nuk diskutohen tema në lidhje me rikosntruimin e qeverisë apo shkarkimeve. Në momentin që hapet tema e rikonstruimit të qeverisë do ta diskutojmë brenda VLEN dhe me partnerët qeveritar”, thonë nga VLEN.

Për çështjen nëse ka ose s’ka fuqi, VLEN-i të vendos për emrat e vet në qeveri, muajin e kaluar u përplas kryeministri Mickoski me Bilall Kasamin, i cili kërkonte shkarkimin e ministrit Fatmir Limani nga detyra e ministrit.

“Çdo subjekt politik pjesë e koalicionit qeveritar bën propozime dhe sigurisht në konsultim me kryeministrin, përcakton edhe emrat. Në këtë rast, unë konstatove që ministri në fjalë në shumë raste ka lënë shumë për të dëshiruar”, deklaroi Bilall Kasami më 12 shkurt 2026.

Përgjigja e Mickoskit ishte e prerë.

“Unë jam mandatar i qeverisë dhe unë e formoj qeverinë. Nëse dikush e ka harruar këtë, ja, të ja kujtojmë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski më 12 shkurt 2026.

Megjithatë Limani nuk u shkarkua, ndërsa u bë temë debati udhëtimi i javës së kaluar në Tiranë, në iftarin e Edi Ramës, pikërisht në ditën kur përfaqësuesit e VLEN-it darkuan në iftar me Mickoskin. Bujë të madhe nëpër rrjetet sociale, bënë fotografitë e Limanit ku shihej i shoqëruar me dyshen opozitare Ali Ahmeti e Arben Taravari, për çka u kritikua edhe publikisht nga VLEN-i./Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu