Bashkëpunimi i fshehtë mes Lëvizjes BESA dhe VMRO-DPMNE-së duket se është shtrirë edhe në Komunën e Butelit. Lëvizja BESA, me gjasë, do të përpiqet të shërbejë si një mburojë e VMRO-DPMNE-së në Butel, për të mos lejuar që votat e shqiptarëve anti-VMRO të shkojnë në llogarinë e LSDM-së. Kjo është arsyeja që Lëvizja BESA do të marrë pjesë në garën për kryetar komune në Butel, paçka se shanset që një kandidat shqiptar të fitojë janë zero, marrë parasysh numrin jo të mjaftueshëm të votave shqiptare në këtë komunë, por që megjithatë janë vendimtare në garën VMRO-LSDM.
BESA do të përpiqet gjatë dy javëve fushatë zgjedhore, që të bëjë për vete votat shqiptare që potencialisht mund t’i dhurohen kandidatit të LSDM-së, me çka do t’i jepej goditja e fundit qeverisjes kristiano-maqedonase të VMRO-DPMNE-së në Butel. Në raundin e parë, VMRO do të jetë e kënaqur që votat shqiptare të mos përfshihen në garën maqedonase, të sigurt se në raundin e dytë, interesi i shqiptarëve për të dalë në zgjedhje ku garojnë dy parti maqedonase do të jetë minimal.
Në rastin më të keq për shqiptarët, BESA me votat që do t’i mbledhë në raundin e parë për kryetar komune, mund të përfitojë një tjetër pazar me VMRO-DPMNE, duke i premtuar vota shqiptare në Butelin maqedonas, në këmbim të votave maqedonase (të VMRO-së) në Çairin shqiptar. Pra, një pazar i pamoralshëm, joshqiptar dhe për më tepër edhe fyes për dinjitetin e shqiptarëve të Cairit dhe Butelit, sidomos të shqiptarëve të Lubetenit, që do të detyroheshin të kishin një kryetar komune sic është kandidati i VMRO-së, një ish-pjesëtar i Forcave të Sigurisë në Luftën 2001, dhe kjo falë Lëvizjes BESA.
A është dakord bashkëvendësi i lubetenasve, kandidati i Lëvizjes BESA në Çair, Zeqirija Ibrahimi, që t’i japë fshatit të vet që përjetoi masakrën e vitit 2001, një kryetar komune maqedonas që kushedi sa shqiptarë i ka zhdëp në dru, vetëm e vetëm që të zgjidhet kryetar i Komunës Çair? Besa si premtim tradicional shqiptar, mund t’i jepet edhe një të huaji sic njeh raste historia, por jo në dëm të shqiptarëve. Nuk mund të ketë besë në tregtimin e interesave shqiptare për interesat personale të Zeqirija Ibrahimit dhe të shokëve të tij.