Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar ndaj deklarimit të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka thënë se IKShPK është shndërruar në instrument politik, pas rekomandimit të kësaj të fundit për shtyrjen e zgjedhjeve të 17 tetorit.
“Dështimi katastrofal pandemik, nuk guxon të prekë demokracinë. E kemi të shenjtë. Prandaj dhe zgjedhjet nuk guxon t’i prekë askush. Vullneti i lirë qytetar është mbi çdo institucion. Suprimimi i demokracisë është kufiri që se kapërcejmë dot. Kushdo që shërben në këtë drejtim do të mbaj përgjegjësi”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ministri Peci i ka përmendur zgjedhjet në Komunën e Podujevës, të cilat ishin shtyrë nga ish-presidenti, Hashim Thaçi. Për këto zgjedhje ai ka thënë se Thaçi nuk e kishte konsultuar asnjë parti.
“Këta eksponente oportunistë heshtnin, se s’donin të prisheshin me shefat e tyre. Se janë veç piuna të atit të tyre ideologjik, I.Mustafës, e dëshmuan edhe sot. Kur eksponentë të politikës na flasin për guxim, e si kinse askush NUK GUXON ta bëjë këtë e atë, mendojnë se neve na ka kapluar amnezia kolektive dhe kemi harruar se kush në të vërtetë janë ata: njerëz që me jetën e tyre politike veçse guxim nuk kanë treguar”, ka shkruar Peci në Facebook.









