Ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka kritikuar ashpër afrimin e fundit të qeverisë me administratën e Donald Trump, duke e cilësuar këtë qasje si një “dështim kolosal amator” në orientimin e politikës së jashtme të vendit.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Pendarovski ironizoi deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili ka shpallur një “normalitet të ri” dhe ka pretenduar se Maqedonia është “e para në radhë” për presidentin amerikan. “E vetmja gjë që kemi marrë nga ky partneritet i forcuar janë tarifat doganore. Dhe kjo nuk është aspak një arritje – është një dëm për qytetarët tanë,” deklaroi Pendarovski.
Ai shtoi se glorifikimi i disa figurave të diasporës ose lobistëve si Lutnik apo Richard Grenell si ura të privilegjuara drejt administratës Trump është tregues i një keqllogaritjeje të thellë dhe ata thjeshtë kanë llogaritjet e tyre personale për koncesione në Maqedoninë e Veriut. “Kur përballesh me një lider si Trump, i cili vepron mbi baza tërësisht transaksionale dhe është i interesuar vetëm për burime dhe para, çfarë kemi ne për t’i ofruar? Absolutisht asgjë,” theksoi Pendarovski.
Në vlerësimin e tij, një politikë e jashtme e bazuar në perceptime të gabuara dhe pritshmëri të pambështetura është jo vetëm joefektive, por edhe e rrezikshme për pozicionin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut.