Pendarovskin apo Siljanovskën, cilin do ta mbështesin shqiptarët? Flasin Mexhiti dhe Osmani

Dy blloqet politike shqiptare, VLEN dhe Fronti Europian, edhe më tej nuk kanë vendosur se cilin prej dy kandidatëve për president do të mbështesin në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen së bashku me ato parlamentare më 8 maj. E meqenëse dy blloqet nuk kanë vendosur se kë do të mbështesin, pyetëm se kë duhet të mbështesin në tërësi shqiptarët.

Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN, thotë se shqiptarët gjithmonë kanë ditur të zgjedhin dhe të vlerësojnë kandidatin më të mirë, megjithatë siç shton, këto zgjedhje presidenciale do të jenë vetëm formale sepse dallimi mes dy kandidatëve, do të jetë shumë i madh.

“Ndërsa ne do të ulemi dhe do ta analizojmë këto ditë do të sjellim vendim, mirëpo vlerësoj që shqiptarët kanë ditur të vlerësojnë politikat, kandidatët, t’i vlerësojnë qëndrimet e tyre cili është më i miri dhe mendoj se edhe kësaj radhe do të dijnë të vlerësojnë dhe kë do të votojnë për president. Edhe pse mendoj se për hirë të së vërtetës, gara mendoj që do të jetë vetëm formale. Dallimi mes kandidatit të parë dhe kandidatit të dytë është shumë i madh kështu që raundi i dytë më tepër do të jetë formal se sa një garë e vërtetë”, vlerëson Mexhiti.

Pyetëm edhe Bujar Osmanin nga Fronti Europian për atë se si do të përcaktohen ata në rrethin e dytë dhe kë duhet të mbështesin shqiptarët. Osmani thotë se meqenëse ka qenë kandidat i Frontit Europian, këtë vendim do të duhet ta marin bashkarisht përsëri si koalicion.

“Shihni, unë isha kandidat i Frontit Europian dhe këtë vendim do e marim bashkë me Frontin Europian ditëve në vijim”, bëri të ditur Osmani.

Përndryshe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, në garë do të jenë Stevo Pendarovski nga LSDM dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE. Në rrethin e parë bindshëm fitoi kandidatja Siljanovska Davkova dhe atë me 40% të votave të përgjithshme. Siljanovska mori 363 mijë vota ndërsa Pendarovski 180 mijë. Dallimi mes dy kandidatëve ishte i dyfishtë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu