Pep Guardiola, rekordmen te Manchester City

Pep Guardiola me skuadrën e tij të Manchester Cityt ka arritur fitore ndaj Chelseat në Londër me rezultat 1-0.

Ndeshjen e vendosi goli i brazilianit Gabriel Jesus në pjesën e dytë, fitore që Pep Guardiolan e vendos në historinë e Manchester Cityt, me një tjetër rekord.

Trajneri katalunas ka regjistruar fitoren e tij të 221-të me “qytetarët”, që prej vitit 2016 kur u zyrtarizua si trajner, duke e kaluar rekordin e Les McDoëall, i cili numëronte 220 fitore, por që i arriti për 13 sezone.

“Jam shumë krenar për këtë rekord. Së bashku po kalojmë një kohë të mrekullueshme. Ne mund të humbim ndeshje, mund të humbim edhe finale, por luajmë çdo sfidë me një kurajë të jashtëzakonshme”.

“Ne provojmë të bëjmë lojën tonë sa herë që zbresim në fushë dhe kjo më bën krenar”, ka thënë Guardiola pas ndeshjes.

Tekniku spanjoll mori drejtimin e Manchester Cityt në verën e 2016-ës dhe në 5 sezone të plota ka arritur të fitojë 10 trofe, ndërsa në 303 ndeshje në total, numëron 221 fitore, 37 barazime dhe 45 humbje.

Skuadra e tij ka shënuar 738 gola dhe ka pësuar 246.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu