Inspektorët sanitarë sot gjatë kontrollit në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup, konstatuan shumë parregullsi. Drejtoresha e inspektoratit sanitar shtetëror , Irina Buhova tha se inspektorët kanë konstatuar kapacitet të ulët të sistemit për ventilim, sterilizues të vjetër për ngrohjen e pelenave, ndërsa shishet për foshnjat transportohen me karroca të vjetra dhe joadekuate.
Është konstatuar se laktariumi është një dhomë pa ujë të rrjedhshëm, ndërsa gjatë intervenimeve, dyert janë të hapura. Përveç kësaj, inspektorët kanë marrë informata se për shkak të korrozionit të tavaneve, dy dhoma spitalore janë të dëmtuara, mungojnë dollapë për rroba dhe pëlhurat të cilat përdoren në këtë klinikë janë të vjetra.
Drejtoresha e Gjinekologjisë, Viktorija Jovanovska tha se janë duke ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e gjendjes por nuk dha informatë të saktë për kohëzgjatjen e rekonstruksionit.
Ajo theksoi se nuk mund të marrin donacione për pajisje për shkak të zgjedhjeve. Ajo gjithashtu shtoi se kanë mungesë të kuadrove, si për shembull patologë, anesteziologë, infermiere etj. Në periudhë prej vetëm 8 muajve 127 foshnje kanë ndërruar jetë.










