Për barrikadat në veri, Sveçla: Nëse nuk i largon KFOR-i mund t’i largojmë ne

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, thotë se barrikadat ne veri kanë humbur kuptimin. Sveçla, në një konferencë shtypi, tha se arsyeja e vendosjes së këtyre barrikadave është arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq, derisa shtoi se ka spekulime për shëndetin dhe trajtimin e tij.

“Gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe po merr trajtimin e duhur. Ne kemi bërë kërkesën te partnerët që ai të transferohet në qendrat e paraburgimit nga stacioni policor. Largimi i barrikadave do ta mundësonte transferimin e tij lehtë dhe sigurt”.

Sveçla ka thënë se pritjes për t’i tërhequr barrikadat nga KFOR-i po u vjen fundi.

“Presim që sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata mbetet e njëjtë e madje është rënduar. Nëse kjo nuk ndodh, kemi kapacitete për ta bërë vet”.

Ministri i Brendshëm thotë se propaganda serbe ka rënduar situatën në atë pjesë të Kosovës.

“Një e pavërtetë që po përdoret është se Policia e Kosovës ka lista për të arrestuar persona të caktuar. Ne nuk kemi lista. Lista ka pasur Serbia e cila e ka vrarë edhe Oliver Ivanoviqin”.

Sveçla thotë se Policia do ta zbatojë ligjin por ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.

“Gjendja e zyrtarëve policorë në Jarinjë që kanë pasur sëmundje kronike janë tërhequr, derisa të tjerët mbetet aty në krye të detyrës”, ka deklaruar tutje Sveçla.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu