Për çfarë erdhi në Shqipëri shefi i CIA-s?

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) John Brennan ishte të mërkurën në Tiranë në një vizitë për çështje të sigurisë dhe terrorizmit. Institucionet shqiptare e mbajtën sekret këtë vizitë duke mos dhënë asnjë informacion rreth kësaj vizite.

Mbrëmjen e djeshme, pasi Brennan kishte takuar Nishanin, Ramën dhe Kodhelin, ambasada amerikane njoftoi mbi këtë vizitë. “Kreu i inteligjencës amerikane u takua me drejtues të ndryshëm për të diskutuar një gamë çështjesh përfshi sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe”, tha ambasada në Tiranë.

Shefi i CIA-s, mësohet se ka takuar Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bujar Nishani, Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, dhe drejtues të komunitetit të inteligjencës.

Kohët e fundit vëmendja e shërbimeve të inteligjencës ka qenë e lartë pas arrestimeve në Kosovë e Shkodër të personave që planifikonin akte terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael dhe që mendohet të kishin lidhje me Shtetin Islamik. Po kështu janë dënuar imamët e vetëshpallur që dërgonin luftëtarë në ISIS, raporton televizioni Klan, duke aluduar se vizita mund të ketë qenë për këtë çështje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu