Plotësisht jemi në dispozicion për bashkëpunim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) që në mënyrë të sigurt të realizohen zgjedhjet, tha ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve se a do të ketë rrezik të rritur nga transmisioni i virusit për pjesëmarrësit në zgjedhje, për votuesit dhe anëtarët e bordeve zgjedhore.
Tha se ka pasur dhe do të ketë takime në Komisionin për Sëmundje Ngjitëse dhe KSHZ që të zgjidhen çështje të hapura, ndërsa është paraparë edhe protokoll i cili, siç tha, saktë përcakton se si të zbatohet procesi dhe çka duhet të bëjnë të gjithë pjesëmarrësit.
“Ai protokoll është në bazë të argumenteve mjekësore dhe epidemiologjike, ndërsa distanca, dezinfektimi i shpeshtë dhe maska mbrojtëse janë themelore që secili proces të jetë i sigurt. Mosrespektimi i masave e rrit numrin e të infektuarve”, tha Filipçe.
Theksoi se protokoll do të ketë edhe për anëtarët në bordet zgjedhore për të cilat është themelore, gjithashtu, bartja e maskës, dorezave mbrojtëse dhe dezinfektimi i shpeshtë, si dhe për votimin në kushte shtëpiake, duke theksuar se asnjë pjesëmarrës në procesin zgjedhor nuk do të jetë në rrezik.










