Pas miratimit të Raportit përfundimtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 11 dhjetor, të drejtë për të votuar do të kenë 21.113 shtetas të Maqedonisë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Kryetari i Shoqatës së Bashkësive Maqedonase në Australi, Igor Aleksov thotë se të dhënat e vetme të sigurta për mërgimtarët që jetojnë dhe veprojnë në Australi janë të dhënat e regjistrimit zyrtar të Australisë, por sipas tij, ky regjistrim nuk ka kurrfarë lidhje me ata që i plotësojnë kushtet për të votuar në Maqedoni.
“Një pjesë e tyre janë lindur atje dhe asnjëherë nuk kanë nxjerrë certifikatë për nënshtetësi, certifikatë të lindjes, letërnjoftim ose pasaportë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë nga Maqedonia e Egjeut, respektivisht refugjatë që kurrë nuk janë jetuar në Maqedoni. Kështu që nëse ka 90 mijë maqedonas etnikë, dyshoj nëse 10 apo 15 mijë prej tyre i plotësojnë kriteret për të votuar”, u shpreh Igor Aleksov, Kryetar i SHBM-së në Australi.
Sipas Kodit Zgjedhor, kushti që një deputet të zgjidhet nga Diaspora është që kandidati i parë të marrë 6.400 vota, për deputetin e dytë të votojnë 12.800 njerëz, kurse për të tretin 19.200. Në vend të tri njësive zgjedhore në Evropë, Amerikë dhe Australi, siç ishte në zgjedhjet e fundit parlamentare, këtë radhë diaspora do të votojë në vetëm një njësi dhe zgjedhjet do të mbahen në 41 përfaqësi diplomatike të Maqedonisë. Më së shumë mërgimtarë të paraqitur për të votuar ka në Zvicër dhe në Itali. Për këtë arsye KSHZ-ja vendosi të hapë tre vendvotime shtesë: një në Bern, dhe dy në Venecia. Megjithatë kryetari i Shoqatës së Bashkësive Maqedonase në Zvicër, Zhivko Atanasov thotë se mërgimtarët nuk kanë kushte të mjaftueshme për ta realizuar të drejtën e tyre për të votuar.
“Për shkak të gjendjes politike në Maqedoni, vota jonë nuk prek te shumë institucione që ne të kemi mundësi ta shpreshim mendimin tonë. Por megjithatë jemi të kënaqur që Qeveria na mundësoi të votojmë. Ka edhe persona që nuk janë të kënaqur nga zgjedhjet e mëparshme. Duhet të zgjedhim sistem dhe të krijojmë kushte në të cilat populli nuk do ta humbë besimin”, tha Zhivko Atanasov, Kryetar i SHBM-së në Zvicër.
Pas Bernit dhe Venecias, më së shumti votues ka në SHBA, respektivisht në Detroit dhe Nju Jork si dhe në Melburn të Australisë. Krahas tyre, do të votojnë edhe mërgimtarët që jetojnë dhe punojnë në Kinë, Katar, Dubaj dhe Rusi. Por, siç thanë bashkëbiseduesit tonë, deputetët e parë të diasporës në zgjedhjet e kaluara parlamentare, në Kuvendin e Maqedonisë nuk shtruan çështje që i tangojnë mërgimtarët. Pikërisht për këtë shkak, ata thonë se në të ardhmen do të donin të zgjedhin përfaqësues të cilët në mënyrë më aktive do t’i shtrojnë çështjet në interes të tyre.