Përfundoi samiti në Zagreb: S’përmendet askund zgjerimi i BE-së në Ballkan

Por, përkundër faktit se në prononcimet publike të gjithë liderët folën për procesin e zgjerimit, ky term nuk është përmendur askund në “Deklaratën e Zagrebit” që u miratua në takim. Vetëm theksohej mbështetja për zotimin paraprak për perspektivën europiane të Ballkanit.

Në fund të Samitit të Zagrebit – i cili për shkak të pandemisë së koronavirusit u zhvillua në mënyrë virtuale dhe jo në kryeqytetin kroat – liderët nxorën një dokument të përbashkët të emëruar “Deklarata e Zagrebit”, përmes së cilit konfirmohet edhe një herë përkushtimi i BE-së për perspektivën evropiane të rajonit si dhe përkushtimi i këtyre vendeve për një të ardhme evropiane si zgjedhje e tyre strategjike.

Të gjithë folësit kanë nënvizuar se kushte të pa diskutueshme në procesin e përafrimit me BE’në do të jenë: sundimi i ligjit, procesi i reformave, respektimi i lirisë së shtypit dhe të drejtave të pakicave.

Aty më shumë flitet për lidhjet më të forta mes rajonit dhe BE-së. Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq u shpreh se vendimi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe miratimi i metodologjisë së re në procesin e zgjerimit, janë ndër sukseset më të mëdha të Presidencës kroate të BE-së. Këto vendim edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel i ka quajtur si dëshmi se janë tejkaluar ndasitë mes vendeve anëtare që ishin shfaqur më herët.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula van der Leyen, e ka quajtur si hap të rëndësishëm zhvillimin e samitit në kohën kur me BE-në kryeson Kroacia, si vendi më i ri anëtar, por edhe mbajtjen e këtij samiti në kohë pandemie.

Ajo ka shfaqur shpresën se metodologjia e re e zgjerimit do të ndihmojë që edhe të përshpejtohet procesi, ndërkohë që e ka quajtur pandeminë e koronavirusit si një mundësi që ndoshta edhe do të forcojë më shumë lidhjet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta ketë prioritet zgjerimin. Në muajin qershor pritet të dalë paketa e re e zgjerimit me raportet e progresit për vendet e rajonit, ndërsa Komisioni do të paraqesë edhe një plan të veçantë të investimeve në rajon i cili pritet në vjeshtë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu