Prokuroria Themelore e Koçanit ka përfunduar hetimin për zjarrin e rëndë që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Puls” të Koçanit, ku humbën jetën 62 persona, përfshirë 6 fëmijë, dhe u plagosën rreth 200 të tjerë.
Prokuroria njoftoi se gjithsej 46 persona janë shpallur të dyshuar për “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, në përputhje me Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut, përcjell INA.
Në fazën e ardhshme, mbrojtja e të dyshuarve do të ketë mundësinë të shqyrtojë provat e mbledhura dhe të propozojë prova të tjera, përpara se prokuroria të marrë vendime individuale për secilin të dyshuar.
Hetimin e udhëhoqi një ekip prej 13 prokurorësh nga prokuroritë e Koçanit, Shkupit, Shtipit dhe Kumanovës. Ata ndërmorën një numër të madh veprimesh për mbledhjen e provave dhe përcaktimin e fakteve.
Rreth 400 dëshmitarë dhe persona të dëmtuar janë marrë në pyetje, ndërsa janë ekzaminuar edhe të dyshuarit. Janë analizuar gjithashtu të dhëna nga pajisje elektronike, si kompjuterë dhe telefona mobilë.
Provat që kanë të bëjnë me veprimet e policëve do t’i dorëzohen Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku tashmë po zhvillohet një hetim kundër 14 policëve. Ky hetim do të vazhdojë për të ndriçuar të gjitha faktet dhe rrethanat e kësaj tragjedie. Prokuroria paralajmëron se nëse nga analiza e provave dalin elementë të rinj të veprave penale nga persona të tjerë që nuk janë përfshirë deri më tani, do të veprojë sipas kompetencave ligjore.
Zjarri në “Puls” nisi nga fishekzjarrët e përdorur gjatë koncertit të grupit “DNK”. Shkëndijat e fishekzjarrëve ndezën tavanin e lokalit të mbuluar me material të lehtë të djegshëm, duke e përhapur zjarrin me shpejtësi të madhe. Diskoteka dyshohet se ka funksionuar për dy vjet pa licencë, ndërsa ky fakt nuk ishte regjistruar as nga Inspektorati i Tregut, as nga policia lokale, dhe as nga vetë autoritetet komunale. Klubi, sipas informacioneve, kishte vepruar në të njëjtën mënyrë edhe në periudha të mëparshme, edhe kur kishte licencë.