Ka përfunduar mbledhja e këshillit të përgjithshëm të BDI-së në Tetovë i thirrur pas krizës së krijuar politike. Zëdhënësi i këtij subjekti politik Bujar Osmani tha se e kanë autorizuar kreun e partisë që të bisedojë me të gjitha palët për të tejkaluar këtë krizë. Osmani nuk tregoi cilën mënyrë e kanë diskutuar për të dalë nga kriza por tha se në tavolinë është edhe opsioni për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Paraprakisht para fillimit të kësaj mbledhje kreu i BDI-së Ali Ahmeti para fillimit të mbledhjes tha se prioritet kanë vetëm interesat shtetërore. Duke komentuar zhvillimet e fundit rreth formimit të shumicës së re parlamentare, Ahmeti tha se ajo është legjitime ndërsa hodhi poshtë zërat se deputetë të partisë së tij mund t’i bashkëngjiten kësaj shumice.
Ndër të tjera, shtoi se Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së, ka autorizuar kryetarin Ali Ahmeti që të bisedojë me të gjitha partitë, përveç atyre që janë në kundërshtim me interesat strategjike.
“Kryetari Ahmeti do të diskutojë me të gjitha partitë, përveç atyre të cilat janë në kundërshtim me interesat strategjike, antiNATO, antievropian. Të gjitha opsionet janë të mundshme, përveç kombinimeve të cilat janë në kundërshtim me interesat strategjike të qytetarëve, të vendit dhe partnerëve tanë dhe ne do të jemi garantues të kësaj të ardhmeje euroatlantike të vendit dhe kryetari Ahmeti mbetet që pas konsultimeve të merr vendimin e duhur”, deklaroi Bujar Osmani – zëdhënës i BDI-së.