Seanca konstitutive në Kuvendin e Maqedonisë në të cilën, u debatuan propozimet lidhur me zgjedhjen e Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, do të vazhdojë ditën e neserme prej orës 11.
Më së shpeshti në foltore ishte Ilija Dimovski i cili tha se duhet të diskutohet për Deklaratën shqiptare. Dimovski, bashkë me deputetët e tjerë të VMRO-së vazhduan të stërzgjasin seancën konstitutive ku përveç fjalimit, Dimovski i përgjigjej edhe replikave të bashkëpartiakëve të tij , replika këto që i përgatiteshin dhe i drejtoheshin qëllimisht Dimovskit.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjës Besa, Afrim Gashi u bëri thirrje deputetëve për maturi dhe të shkohet në mbyllje graduale të procedurave teknike.

Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi kërkoi qasje më pozitive dhe afirmatike duke thënë se Maqedonia është edhe shtet i shqiptarëve.
Kurse, Artan Grubi nga BDI , duke u shprehur në gjuhën maqedonase, deklaroi se Platforma paraqet deklaratë të përbashkët të partive shqiptare ndërkaq Edi Rama vetëm ka qenë rregullator mes tyre.










