Glauk Konjufca i VV’së ka folur pas takimit me grupin punues të LDK’së, prej ku ka thënë se në bisedime u pa se kontributi i Nënkryetarit Lutfi Haziri, është shumë i nevojshëm.
Në një deklaratë për media, Konjufca tha se sot u bisedua për shëndetësi dhe arsim.
“Sot jemi mbledhur për të biseduar enkas për shëndetësinë dhe arsimin dhe grupet tona I shpalosën qëndrimet për secilin subjekt dhe mund të them që ka qenë një takim që është zhvilluar me një pajtueshmëri shumë të thellë. Është një prej takimeve që kemi pas pajtueshmërinë më të madhe deri më tash mund të them 100 për qind. Pra me sa mora unë shënime diku për secilën fushë janë trajtuar së paku 10 tema thelbësore në të cilat kemi gjetur pajtueshmëri pothuajse të plotë. Ndonjë mospajtim tretësore mund të them se kanë qenë të natyrës teknike dhe kohore për sa kohë mundemi e i realizu. Takimi i pestë ka pas një pajtueshmëri më të madhe deri tani”, ka thënë ai.
Konjufca ka folur edhe rreth Lutfi Hazirit, duke thënë se kontributi i tij në bisedime mes dy partive është shumë i nevojshëm.
“Jam i bindur sepse isha pjesë e takimi që kontributi i Z.Haziri ka qenë shumë i nevojshëm, prandaj e tëra që mund të them ai i ka kontribuar kësaj atmosfere të mirë. Jo ne folëm për arsimin dhe shëndetësinë. Ne ende nuk e kemi caktu një takim në të cilën do të flitet ndarja e dikastereve, ne kemi zgjedhur një strategji të caktuar negociatore, kjo ka qenë pajtueshmëria sa më e madhe me fillu prej mënyrave me të cilat ne pajtohemi edhe nëse i krahason dy programet mund të gjesh mjaft ide dhe hapësira të njëjta që të dy subjektet i kanë pa si të domosdoshme”, shtoi ai.
Por sa i përket deklaratës së nënkryetarit të LDK’së, Konjufca thotë se sovrani ka vendosur më 6 tetor se kujt i takon ajo pozitë.
“Nuk do të kisha thënë se janë përplasur, unë mendoj se sa i përket kryeministrit kurrë nuk është kontestuar fakti se kryeministri i Kosovës, pas pamundësisë për arritje të koalicionit parazgjedhor, ku marrëveshja nuk ishte arritur, prej atij momenti ne në popull dhe qytetarëve ua kemi shpjeguar se kryeministri zgjedhet drejtpërdrejtë përmes votës në popull, ne jua lamë qytetarëve atë dhe është e qartë që mandatari për kryeministër i përket subjektit që ka fitu numrin më të madh të votave. Të gjitha këto që i dëgjoni nuk kisha thënë se janë përplasje”, tha ai.








