Sekretariati për Mundësi të Barabarta i Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Tetovë, ka dalë me një reagim publik pas zhvillimeve të fundit dhe publikimit të përgjimeve skandaloze që përfshijnë emrat e Musa Xhaferit dhe Blerim Bexhetit, të cilat kanë tronditur opinionin publik.
Në deklaratë thuhet se anëtaret e këtij Sekretariati ndjejnë detyrimin moral dhe politik për të shprehur qëndrimin e tyre, duke theksuar nevojën për reflektim të thellë brenda strukturave të partisë.
“Ngjarjet e fundit kanë hapur debat të gjerë në shoqëri dhe kanë ngritur nevojën për reflektim të thellë brenda strukturave të partisë. BDI-ja është ndërtuar mbi vlera të qarta politike dhe morale – integritet, drejtësi, barazi dhe përkushtim ndaj qytetarëve – vlera të cilat duhet të ruhen dhe të përfaqësohen me dinjitet nga të gjithë anëtarët dhe përfaqësuesit tanë,” – thuhet në reagim.
Anëtaret e Sekretariatit për Mundësi të Barabarta theksojnë rëndësinë e transparencës, përgjegjësisë dhe etikës publike në çdo nivel të vendimmarrjes, duke kërkuar nga udhëheqësia e partisë që të ndërmarrë hapa të qartë për të garantuar respektimin e këtyre parimeve.
“Si gra të angazhuara në jetën politike dhe shoqërore, kërkojmë nga udhëheqësia e partisë që të sigurojë që këto parime të jenë udhërrëfyes në çdo veprim e deklarim publik,” – theksohet më tej.
Në përfundim, Sekretariati për Mundësi të Barabarta shpreh përkushtimin ndaj idealit dhe vizionit të Bashkimit Demokratik për Integrim, të udhëhequr nga kryetari Ali Ahmeti, duke bërë thirrje për unitet, reformim të brendshëm dhe forcim të besimit qytetar.
“Besojmë se vetëm përmes reformimit të brendshëm dhe forcimit të besimit qytetar, mund të vazhdojmë rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më të ndritur për të gjithë,” – përmbyllet deklarata.










