Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit që u mbajt në Durrës, por shtoi se në fund udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me unanimitet miratuan një deklaratë të përbashkët të samitit.
Pas samitit, Osmani tha se Vuçiq iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”.
Në lidhje me këtë qasje të presidentit të Serbisë dhe qasjen që duhet të ketë BE ndaj tij, foli eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Fehlinger tha se gjuha e përdorur nga Vuçiq është e papranueshme dhe e dëmton frymën evropiane. Ai vlerësoi se duhet të merren masa ndëshkuese ndaj një personi të tillë që vazhdon të sulmojë fqinjët dhe të lavdërojë agresionin.
“Përdorimi i përsëritur i fyerjeve dhe gjuhës konfrontuese nga Presidenti Vuçiq ndaj Kosovës dhe udhëheqjes së saj jo vetëm që është mungesë respekti, por edhe minon frymën evropiane të bashkëpunimit që procesi Brdo-Brioni synon të promovojë. Një sjellje e tillë duhet të ketë pasoja në kontekstin e integrimit evropian. Një udhëheqës që vazhdon të sulmojë fqinjët dhe të lavdërojë agresionin, nuk mund të aspirojë në mënyrë të besueshme ta udhëheqë vendin e tij drejt Bashkimit Evropian. Statusi i kandidatit të Serbisë për anëtarësim në BE duhet të pezullohet menjëherë,” tha Fehlinger.
Ai vazhdoi duke kërkuar që presidenti Vuçiq të izolohet dhe të gjitha ftesat ndaj tij të anulohen. “Vuçiq është i përjashtuar i Ballkanit,” theksoi ai.
Kurse, Fehlinger mbështeti presidenten Osmani dhe sjelljen e saj diplomatike, duke e konsideruar atë një përfaqësuese të denjë të Kosovës në takimet ndërkombëtare.
“Presidentja Vjosa Osmani ka treguar pjekuri dhe qëndrueshmëri diplomatike. Pavarësisht provokimeve, ajo e përfaqëson Kosovën me dinjitet, përkushtim ndaj vlerave euroatlantike dhe një orientim të qartë drejt paqes dhe anëtarësimit në NATO e BE,” u shpreh ai.
Fehlinger gjithashtu përmendi se diplomacia e Kosovës, nën udhëheqjen e Osmanit, po bën një punë të shkëlqyer dhe se Kosova është një aktore evropiane e përgjegjshme. Ai theksoi se metodat e vjetra përçarëse të Serbisë po humbasin efektivitetin.
Në fund, Fehlinger kërkoi që partia e Vuçiqit të përjashtohet nga familja evropiane dhe që Serbia të mbetet jashtë organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.
“Serbia duhet të mbetet jashtë NATO-s, BE-së, OBT-së, OSBE-së, OECD-së, Këshillit të Evropës dhe Zonës Shengen deri më 2029,” përfundoi ai.