Përplasje mes fuqive të mëdha në OKB për Kosovën

Përfaqësuesit e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shpalosën qëndrime të ndryshme lidhur me zhvillimet në Kosovë, dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe vazhdimin e mandatit të Misionit të UNMIK-ut.

Zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Tammy Bruce, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë përmbajtje dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ajo rikonfirmoi qëndrimin amerikan në favor të përfundimit të misionit të UNMIK-ut, duke theksuar se realiteti në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 1999, raporton lajmi.net

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Jennifer McNaughtan, vuri në pah rëndësinë e vënies para drejtësisë të personave përgjegjës për sulmin në Banjskë, në Zveçan, në veri të Kosovës. Ajo kërkoi nga të dyja palët zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe një rishikim strategjik të rolit, detyrave dhe financimit të UNMIK-ut.

Zëvendësambasadori i Francës në OKB, Jay Darmadhikari, bëri thirrje për një dinamikë të re në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me synimin e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e BE-së. Ai e cilësoi të papranueshme që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë, më 24 shtator 2023, të vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.

Darmadhikari shprehu gjithashtu shqetësim lidhur me ndryshimet e fundit në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ato nuk janë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Ndryshe nga qëndrimi amerikan, Franca rikonfirmoi mbështetjen e saj të plotë për vazhdimin e misionit të UNMIK-ut.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, deklaroi se situata në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë, duke pretenduar se serbët përballen me sulme dhe shkelje të të drejtave të tyre. Ai kritikoi Bashkimin Evropian për atë që e cilësoi si dështim për të siguruar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Nebenzya kundërshtoi gjithashtu vendimin e KFOR-it për optimizimin e trupave, pavarësisht vlerësimeve për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Kosovë.

Ndërkohë, zëvendësshefi i Misionit të Kinës në OKB, Fu Cong, theksoi se Pekini mbështet zgjidhjen e çështjes së Kosovës përmes dialogut, por në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ai kërkoi gjithashtu mbështetjen e Këshillit për vazhdimin e veprimtarisë së UNMIK-ut.

Qëndrimet e paraqitura dëshmojnë për dallimet mes fuqive të mëdha lidhur me të ardhmen e UNMIK-ut dhe mënyrën e trajtimit të çështjes së Kosovës, ndërsa dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe zbatimi i marrëveshjeve mbeten tema qendrore të diskutimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu