Përse Mike Pompeo i anashkalon Shqipërinë dhe Kosovën?

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), nëpërmjet një zëdhënësi, njoftoi të enjten se Kryediplomati amerikan, Mike Pompeo, do t’i vizitojë katër vende të Evropës, javën që vjen (11—15 gusht). Në njoftim thuhet se Pompeo do ta fillojë turneun e tij diplomatik të nivelit të lartë në Pragë të Republikës së Çekisë dhe do të vizitojë edhe qytetin Pilsen. Prej aty ai do të shkojë në Lubljanë të Sllovenisë, pastaj në Austri dhe në fund në Poloni.

Sipas itinerarit të njoftuar nga DASH, gjatë qëndrimit të tij në Çeki, Sekretari Pompeo do të vizitojë qytetin Pilsen, ku së bashku me ministrin e Jashtëm të atij vendi, Tomas Petriçek, do të shënojnë përvjetorin e çlirimit të Çekosloavakisë Perëndimore nga Ushtria Amerikane, në Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa në Pragë zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë bisedime me Kryeministrin Andrej Babis mbi bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e energjisë bërthamore dhe mbi të ashtuquajturën Nisma e Tre Deteve, e cila njihet gjithashtu si Nisma e Baltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi, një forum ky i 12 vendeve të Bashkimit Evropian (Austrisë, Bullgarisë, Estonisë, Kroacisë, Lituanisë, Letonisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë). Udhëheqsi i lartë amerikan do të zhvillojë gjithashtu bisedime me zyrtarët më të lartë çekë mbi masat për të kundërshtuar veprimtaritë e rrezikshme në rajon të Rusisë dhe të Kinës komuniste.

Pas bisedimeve në Pragë, Pompeo do të udhëtojë për në Lubljanë të Sllovenisë, ku do të zhvillojë bisedime me zrytarët më të lartë sllovenë: me Presidentin Bohur Pahor dhe me Kryeministrin e vendit, Janez Jansha. Sipas njoftimit të DASH, Mike Pompeo do të diskutojë me zyrtarët e Sllovenisë për mundësitë e mëtejshme për një bashkëpunim edhe më të ngushtë midis dy vendeve, në fusha të interesit dhe të shqetësimit të përbashkët, përfshirë energjinë bërthamore dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese perëndimore. Kryeministri Jansha dhe Sekretari Pompeo do të theksojnë rëndësinë e sigurisë së rrjetit të informacionit 5G dhe kurse me ministrin e Jashtëm slloven, Anzhe Logar, do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashskët mbi teknologjinë 5G.

Në Vjenë, më 14 gusht, Sekretari Pompeo do të takohet me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, dhe me Kancelarin Sebastian Kurz, për të diskutuar mbi Partneritetin Strategjik Sh.B.A.-Austri, për marrëdhëniet e forta dhe në rritje të tregtisë dhe investimeve midis dy vendeve dhe për çështjet e sigurisë rajonale, thuhet në njoftimin e DASH për vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Austri.

Ndërsa në ndalesën e fundit të turneut të tij në Evropën Lindore, në Varshavë, më 15 gusht, Sekretari Pompeo do të takohet me Kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki, dhe me Ministrin e Jashtëm, Jacek Czaputowicz, për të diskutuar mbi fushat e bashkëpunimit të fortë SH.B.A.-Poloni, përfshirë thellimin e mëtejshëm të lidhjeve të forta në fushën e mbrojtjes, Marrëveshjen e ZgjEruar të Bashkëpunimit të Mbrojtjes, masat për rikuperim nga pandemia COVID-19, sigurinë e rrjetit informativ 5G dhe përmirësimin e infrastrukturës rajonale të shpërndarjes së energjisë, bazuar në Nismën e Tre Deteve. Gjatë vizitës së tij në Varshavë, Kryediplomati amerikan do të takohet edhe me Presidentin e Polonisë Andrzej Sebastian Duda. Në njoftimin e DASH thuhet githashtu se gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Sekretari Amerikan i Shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë që do mbahet në përkujtim të 100-vjetorit të Betejës së Varshavës të vitit 1920, në të cilën forcat polake I mposhtën forcat bolshevike sovjetike gjatë luftës polako-ruse që kishte pëfunduar me një fitore vendimtare të ushtrisë polake kundër Ushtrisë së Kuqe Sovjetike.

Përballë kësaj vizite të nivelit të lartë të Sekretarit Amerikan të Shtetit në Evropën Lindore është e pamundur të mos mendojmë edhe për Shqipërinë dhe për Kosovën dhe se kur ishte hera e fundit që një diplomat i lartë amerikan ose evropiano-perëndimor të ketë vizituar dy shtetet shqiptare. Duhet të shkojmë pak më thellë në historinë e viteve të fundit që të gjejmë ndonjë vizitë me rëndësi të zrytarëve të lartë perëndimorë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Por, nuk është aspak për t’u çuditur, sepse, vitet e fundit, Tirana dhe Prishtina nuk janë në agjendën e vizitave të rëndësishme nga perëndimorët, siç eshtë kjo vizitë e kryediplomatit amerikan në Evropën Lindore, javën që vjen. Nuk është për t’u çuditur aspak.

Për të parë përse, mjaftojnë vetëm deklaratat e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “ndërhyrjet në punët e brendshme” të Shqipërisë nga ndërkombëtarët si edhe deklarata e tij e fundit në Kuvendin e Shqipërisë se “komunistët dhe komunizmi shqiptar ishin në anën e duhur të historisë”, ndërkohë që Sekretari Amerikan i Shtetit, gjatë vizitës së tij në Poloni, do të kujtojë 100-vjetorin e fitores së forcave polake kundër forcave bolshevike ruse. Kjo, gjithashtu, në një kohë që, ndërsa Kryediplomati amerikan, gjatë qëndrimit të tij në Lubljanë do të bisedojë për mundësitë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në proceset euro-atlantike, Kryeministri i Shqipërisë flet për “minishengin ballkanik” me Serbinë dhe për marrëdhënie strategjike me Erdoganin e Turqisë. Përshirë këtu gjendjen jostabile politike në Shqipëri dhe në Kosovë, është e qartë se nuk duhet të çuditemi përse perëndimorët po vazhdojnë të shikojnë me dyshim politikën e Tiranës zrytare dhe të anashkalojnë Tiranën dhe Prishtinën në vizitat e tyre rajonale. Fatkeqësisht, duhet të bëjmë pyetjen edhe sa kohë do të zgjasë durimi i perëndimorëve me një klasë politike shqiptare që nuk ndan asnjë vlerë perëndimore, por është e interesuar vetëm të ruajnë karrigat e veta në dëm të jetës së shqiptarëve dhe në kurriz të interesave të Kombit, në përgjithësi.

Kam drojë se është tepër vonë që të hedhim kushtrimin për gjendjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe të marrëdhënieve të shqiptarëve me perëndimin, në përgjithësi. Ka nja 10 vjet që në mënyrën time modeste jam munduar të paralajmëroj për disa prirje të udhëheqësve shqiptarë ndaj obskurantizmit lindor, jo vetëm bazuar në autoritarizmin e tyre të ushtruar në vend, por edhe në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos me vendet Perëndimore. Sa herë kemi dëgjuar vitet e fundit disa udhëheqës shqiptarë që kërcënojnë Perëndimin duke thenë se Shqipëria dhe Kosova “kanë alternativa të tjera”, në qoftë se nuk na pranoni kështu sië jemi, thoshin ata, me kushte ose pa kushte. Tashti po e shohim se çfarë alternativash paskan pasur në mend këta.

Jeni në rrugë të gabuar. Shqiptarët kudo qofshin që janë të interesuar për marrëdhënie normale dhe miqësore të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara, ashtu siç kanë marrëdhënie normale dhe miqësore vendet ish-komuniste (me përjashtim të Austrisë) që do t’i vizitojë javën që vjen Sekretari Popmpeo, duhet të jenë të shqetësuar për gjendjen aktuale në marrëdhniet e shqiptarëve me Perëndimin. Marrëdhëniet e ngrira, sidomos të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën nuk janë në interesin afatgjatë të Shqipërisë e të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, si dhe as të paqes dhe sigurisë në rajon.

Është e qartë se zhvillimi normal imarrëdhënieve të Shqipërisë dhe Kosovës me perëndimorët është prekur negativisht nga konfliktet dhe jostabiliteti politik i brendëshëm, por edhe nga flirtimet (e maskuara me kërcënime) me influenca të huaja, historikisht jomiqësore. të shqiptarëve, siç janë Turqia, Rusia dhe Kina. Pa përmendur në këtë mes trafikimin e drogës, krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë dhe mungesën e sundimit të ligjit në vend. Janë këto probleme dhe të tjera si këto që bëjnë që zyrtarët e lartë të Amerikës, siç është Sekretari Amerikan i Shtetit apo ata të vendeve të tjera perëndimore, të anashkalojnë Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, gjatë vizitave të tyre në vendet mike dhe aleate perëndimore në rajon, siç është vizita e kryediplomatit amerikan në Republikën Çeke, në Slloveni, në Austri dhe në Poloni, javën që vjen. Interesat afatgjata kombëtare të shqiptarëve nuk do të duhej të lejonin as ta toleronin një gjë të tillë. Për ngrirjen e marrëdhënieve të shqiptarëve me aleatët dhe me miqtë tradicionalë dhe historikë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dikush duhet të japë përgjegjësi.

Jeni në rrugë të gabuar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu